Mediu kritika ndaj PD-së: Të bëhet reflektim që të mos kemi një president qesharak
Partia Socialiste ka vendosur që ditën e shtunë, 4 qershor ora 18:00 të zhvillohet raundi i katërt dhe me shumë mundësi do të zgjidhet presidenti i ri i vendit. Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, kreu i PR-së Fatmir Mediu ka sulmuar opozitën pjesë e së cilës është edhe ai, pasi kjo e fundit nuk solli një emër për presidentin e Shqipërisë.
“Duhet të jemi të unifikuar, në këtë rast opozita është e panevojshme në proces, absurde që të kërkosh përjashtimin e një pale dhe të kërkosh ta zgjedhësh ti. Opozita nuk mund të ngelet në mëshirën e PS, opozita duhet të ndërtojë një raport me opinionin politik, opozita marrëveshjen e ka me qytetarët shqiptar.
Opozita ka pasur dhe ka njerëz dinjitoz për të qenë president, të përcaktonte një kandidat, apo 2, për t’i vënë përballë PS në mënyrë që ne të mos përfundojmë që të zgjedhim një president sa për të kaluar radhën dhe nëse nuk ka marrëveshje.
Më vjen keq që në moment që ne jemi si vend dhe si rajon, ky proces u paragjykua që në fillim dhe fundi është i qartë, të bëhet reflektim që të mos kemi një president qesharak”.