Mediu në Laprakë: Rama shkatërroi vendin, më 25 prill lufta është ndaj tij

Kreu i PR-së, Fatmir Mediu gjatë një takimi me banorët në Laprakë, tha se 25 prilli nuk do të jetë një ndeshje mes të majtës dhe të djathtës, por ndeshen shqiptarët që duan shtet me kryeministrin Edi Rama, i cili ndërton vetëm krim dhe korrupsion. Kandidati për deputet, pjesë i koalicionit “PD-Aleanca për Ndryshim”, premtoi se do të sjellë ndryshimin e vendit, kthimin e dinjitetit njerëzor dhe zhvillimin ekonomik. Po ashtu ai tha edhe se Edi Rama do të mbahet mend për shkatërrimin e familjeve dhe të ardhmes së shqiptarëve.

”Pushteti i krimit dhe korrupsionit që ka ndërtuar Edi Rama, është parajsa e Ramës por është shkatërrimi i familjeve tona dhe të ardhmes tonë si shqiptarë. Prandaj jemi sot këtu të gjithë bashkë, me një angazhim dhe një qëllim, për të ndërtuar atë që është e ardhmja e fëmijëve tanë, e familjeve tona, e prindërve tanë, e Laprakës dhe e gjithë Shqipërisë. Kam bindjen që sot më shumë se kurrë, në kemi marrë një vendim, askush asnjë njeri nuk mund të na dalë dhe të bëhet Zot për fatit tonë dhe familjeve tona.

Nuk mund të ketë njeri që të dalë dhe të na ndërpresë rrugëtimin tonë europian. Prandaj është shumë e rëndësishme që të fillojmë të kuptojmë vlerën tonë si qytetarë në demokraci, peshën dhe dinjitetin që ne duhet t`i japim familjes sonë dhe njëkohësisht vendit dhe kombit tonë. Mashtrues, përbuzës, mospërfillës, njeri që ka shkelur jetën dhe interesat e shqiptarëve, interesin tonë kombëtar, në historinë tonë nuk mund të gjendet dhe të krahasohet me Edi Ramën. Ai I cili mendon që ligji, Kushtetuta, janë vetëm në shërbim të aferave të tij korruptive, të interesave të tij korruptive, për të përfituar dhe vjedhur në mënyrë të vazhdueshme.

Prandaj 25 Prilli është një moment shumë i rëndësishëm, është një moment me rëndësi kombëtare. Nuk ndeshet e majta me të djathtën, por ndeshen qytetarët shqiptarë, që duan shtet, duan liri, me Edi Ramën, i cili krijon dhe ndërton vetëm krim dhe korrupsion. Është ndarja e shqiptarëve që duan punë dhe dinjitet dhe Edi Ramës që ka shkatërruar çdo mundësi ekonomike, ka shkatërruar bizneset, ka shkatërruar Shqipërinë. Prandaj të mirën që na e ka dhënë Zoti, vlerën që na ka dhënë Zoti si njerëz, familjen që duhet t`a mbrojmë në emër të të ardhmes tonë, ne duhet t`i japim vlerë me votën tonë”, tha Mediu.

SHKARKO APP