Mehmeti: Një rimbyllje e shkollave do të ishte katastrofike, me mësimin online shkruajmë shkatërrimin e arsimit shqiptar
Eksperti i arsimit, Ndriçim Mehmeti, kritikon qeverinë dhe Ministrinë e Arsimit lidhur me menaxhimin e pandemisë në shkolla.
Ndërsa rastet me Covid në këto ambjente shtohen dhe mësmi me turne dhe orë të shkurtuara është bërë një normalitet i përditshëm, ai thotë se MAS duhet të kishte marrë ambjente me qira ose të kishte shfrytëzuar bibliotekat për mësim.
Mehmeti: Duheshin marrë masa për ambjente me qira. Sot e pashë, një mburrje e madhe që po shpërndahen libra në bibliotekën “Musine Kokalari”. A kemi biblioteka ne? Po. Pse nuk i shfrytëzojmë për shkollë?Të paktën për ciklin e ulët. A kemi ndërtesa që mund ti marrim me qira? Po. A paguajmë ne një taksë për arsimin, ku shkojnë 8.2 mln euro apo më shumë? Shkollat po ndërtohen me PPP. U fol në 3D për shkollën “Sami Frashëri”, shkoni dhe shikojeni, shesh ndërtimi është kthyer, do bëhet shkollë apo pallat, askush nuk e di.
I ftuar në Rtv Ora, Mehmeti thotë se numri i të infektuarve në radhët e nxënësve dhe mësuesve është më i madh nga çfarë deklarohet.
Mehmeti: Shifrat janë më të larta, vetëm në shkollën “Petro Nini” janë të karantinuar 70 fëmijë dhe mësues.Është bërë dezinfektimi i plotë bakterologjik vetëm njëherë. MAS nuk merr pjesë në asnjë task-forcë.Si nuk ka nevojë të bëhen tamponë për mësuesit? Për 40 mijë, po ti marrësh me gjithë trupën mbështetëse, do të harxhonim 1.6 mln euro? Nuk janë asgjë për buxhetin e shtetit.
Në një situatë të tillë, ai druan se mbyllja e shkollave do të jetë e paevitueshme dhe kjo sipas tij do të rrënonte arsimin shqiptar në afatgjatë.
Mehmeti: Kam frikë se po dhe do të jetë kastrofike. Nëse kthemi në fazën e mësimit online ne mund të shkruajmë shkatërrimin e arsimit shqiptar tani dhe për një periudhë shumë afatgjatë. Akademia.al është një platformë që nuk është testuar, nuk kemi shtrirje të internetit në gjithë Shqipërinë, nuk kemi gjendje ekonomike të atillë që nxënësit të kenë spartfone apo tableta.
Në vlerësimin e tij, mësimi online nuk mund të kryhet dot.
Mehmeti: Ti humbe një tre mujor, një nxënës që ka qenë në vitin e dytë mekanik dhe është në vitin e tretë sot, si do të bëhet mekanik online ai?Si do të bëshesh shef kuzhine online, apo mirëmbajtës i rrjeteve kompjuterike? Shkollat profesionale dalin jashtë kësaj. Si do të bësh eksperimente në kimi dhe fizikë?