”Mëkati” i Ramës me krimin, në 2022 bandat ”u lanë në gjak”
Nga: Redjon Shtylla
Nga mbledhja maratonë me ministrat në këtë fillimviti, kryeministri Edi Rama u ndal edhe tek rendi dhe krimi, ku ndër të tjera tha se viti 2022 ka numrin më të ulët të vrasjeve në tre dekadat e fundit. ”Normale, dihet që më e keqja harrohet shpejt, e mira s’ka fund kurrë dhe nga ana tjetër, padiskutim, ka ende shumë për të bërë”,-shkruan Rama në një postim në facebook.
Por le të ndalemi tek shifrat e sakta. Janë 47 vrasje me 54 viktima. Viti 2022 nisi me vrasjen e Erion Çelës i cili u ekzektua në mënyrë mafioze më 4 janar dhe u mbyll po ashtu me atentatin mafioz ndaj Edmond Papës më 16 dhjetor. Sipas Ramës, në 2021 u vranë 61 persona dhe në 2022 u vranë 43. Pika që ”rrëzon” rendin, janë bandat dhe ekzekutimet mafioze.
Ervis Martinaj, ose ”mbreti” i lojërave të fatit, është denoncuar si person i zhdukur që prej gushtit 2022. Por teksa fati i tij mbetet ende një enigmë, para se të zhdukej Martinajt ia eliminuan një nga një shokët. ”Mbreti” i lojërave të fatit u godit te miqtë e tij që me vrasjen e Fabian Gaxhës, Santiago Malkos, Bujar Likës, Erigers Mihasit, Can Kariçit, Brilant Martinajt, për ta mbyllur me tentativën e vrasjes së Ylli Brahimit pak javë para humbjes së gjurmëve të Ervis Martinajt.
Edhe pse Policia ende nuk ka dhënë një reagim zyrtar, madje as kryepolici Rrumbullaku nuk ka lëshuar asnjë fjalë për këtë zhdukje, hesapet mes bandave u shënuan në shesh, frikshëm dhe ende sot pa autorë në pranga. Kundërshtarët u lanë në gjak.
Nëse do të marrim në skanim çfarë shohin të huajt, që janë si ”Zot” në Shqipëri, në raportet e Eurojust, DASH apo edhe të Komisionit Europian, për vendin tonë theksohet si problem bandat e krimit të organizuar, të cilat janë në përplasje të vazhdueshme për larje hesapesh si pasojë e prishjeve të pazareve të drogës në vendet e BE-së, dhe kjo duke prodhuar një numër të lartë viktimash.
“Pse më sheh”, “përse parkon në vendin tim”, “pse i fole vajzës që unë e pëlqej”, janë disa nga fjalët më ordinere që më pas shkaktuan edhe vrasje. Pra korniza e krimit nuk është statistikë, por një alarm për strukturat që nuk shihen gjëkundi. Situata nuk është e panjohur, pasi për shumë vite rendi është në duart e të ”fortëve” që vrasin dhe nuk kapen.
Qytetarët shprehen se u vjen keq për atë që po ndodh, ndërsa të tjerë ndihen edhe të pasigurt. Për ta përmirësimi i situatës vjen duke zbatuar ligjin dhe dënuar si duhet autorët e këtyre krimeve. Vrasja është muzika që shoqëron jetët tona, POR duhet të NDRYSHOJË, duhet të dëgjojmë muzikën e JETËS që ecën përpara.