Mëkati në Klos, ”turpi” mbrohet me plumba
Nga: Redjon Shtylla
Masakra në Klos, është nga ato ngjarje të trishta ku jeta nuk vlen para mentalitetit dhe fotot në plazh, quhen nudo dhe të rënda. Refuzimi për të marrë nuse 16-vjeçaren e familjes Mjeshtri, i mori jetën 17-vjeçarit Kenado Shirës, dhe babait të tij, Liri Shirës. Fiqiri Mjeshtri u kthye nga emigrimi, pasi vajza i kishte shprehur shqetësimet dhe kërcënimet nga ana e Kenados, dhe të kushëririt të tij.
16-vjeçarja është e “vrarë”, dhe shërimi i saj nga kjo ngjarje do të kërkojë kohë të gjatë. Shteti duhet të kujdeset për të, së paku ajo nuk duhet të jetojë më në atë zonë. Atje për të është një skenë krimi që nuk do ta lejojë të shërohet nga kjo masakër, pasi jeta për të do të vazhdojë, edhe pse mbi supe mund të ndjejë peshën e fajit për ngjarjen.
A kishte faj ajo? Po dy të rinjtë ku gabuan? Flirtet dhe dashuritë e para janë të vështira, sepse në këtë moshë, pjekuria për të kuptuar gjërat dhe për qenë koshient dhe protektiv ndaj vetes, është e vështirë. Mëkati që 17-vjeçari mori me vete është shantazhi, këtu nisi që “dashuriçkat” u kthyen në problem dhe shkaktuan një fund të tillë. Mentaliteti është i rrënjosur si gjaku nëpër vena në këto zona të thella, dhe këtë traditë nuk është e lehtë që ta njëllosësh, se nderi është mbi gjithçka, dhe fjalët e njerëzve të vrasin dhe të ulin kokën dhe turpi nuk hahet me bukë, por mbrohet me plumb.
Në një shoqëri ku burrat vrasin gratë, ku kontrollojnë jetën e tyre dhe madje në zona të thella i quajnë edhe si pronë, për psikologët këto sjellje janë komplekse. Nisin me mënyrën sesi i rrisim dhe edukojmë djemtë, këtu është thembra e Aklit dhe mësimi që marrin edhe nga masakra në Klos. “Për fat të keq djemtë ose burrat janë ata të cilëve u lejohet të kenë më shumë forcë dhe dominim te gjinia femërore, vajzat dhe gratë”. Eneida Frashëri, psikologe, thotë se mentaliteti i shoqërisë por edhe roli dominues i prindërve në jetën e fëmijëve të tyre janë të tjera arsye.
Aktivistë të mbrojtjes së të drejtave të grave thonë se reagimi i institucioneve, por edhe vetë shoqërisë është i pamjaftueshëm në parandalimin e të tilla tragjedive. Çdo vit Shqipëria shënon statisika shqetësuese të grave të vrara dhe të dhunuara. Vitin e shkuar humbën jetën 16 gra e vajza ku autorë ishin partnerët apo familjarët e tyre.
Nëse duam të mbrojmë gruan, duhet të heqin pjesën e kalbur të sistemit mbrojtës, të kemi polici, gjykatë dhe shoqata që punojnë, e jo që vajtojnë pas çdo vrasje dhe harrohen në zyra.