Meksikë: 500 vjet më vonë, shkencëtarët zbulojnë se çfarë vrau Aztekët.
Në vitin 1545 fatkeqësia goditi kombin Aztek të Meksikës, kur njerëzit filluan të ndiheshin keq me ethe të larta, dhimbje koke dhe gjakderdhje nga sytë, goja dhe hunda. Ata përgjithësisht vdisnin pas tre ose katër ditë. Brenda pesë viteve, deri në 15 milionë njerëz, rreth 80% e popullsisë, u zhdukën nga një epidemi vendase e quajtur “cocoliztli”. Fjala do të thotë murtajë në gjuhën Azteke të quajtur Nahuatl. Shkaku i saj, megjithatë, është vënë në pikëpyetje për gati 500 vjet.
Të hënën shkencëtarët hodhën poshtë disa nga dyshimet, si lija,fruthi,shyta dhe gripi duke identifikuar një tip etheje për të cilën ata gjetën dëshmi në AND-në mbi dhëmbët e viktimave. “Cocoliztli i 1545-50 ishte një prej shumë epidemive që prekën Meksikën pas ardhjes së evropianëve, por ishte veçanërisht e dyta nga tre epidemitë që rezultuan më shkatërrueset dhe çuan në numrin më të madh të humbjeve njerëzore”, tha Ashild Vagene nga Universiteti i Tuebingen në Gjermani.
“Shkaku i kësaj epidemie është debatuar për më shumë se një shekull nga historianët dhe tani ne jemi në gjendje të sigurojmë prova të drejtpërdrejta përmes përdorimit të ADN-së së lashtë për të kontribuar në një çështje historike të gjatë”.
Shpërthimi i epidemisë konsiderohet si një nga më vdekjeprurëset në historinë njerëzore, duke iu afruar murtajës bubonike e njohur si Vdekja e Zezë, e cila vrau 25 milion njerëz në Evropën Perëndimore në shekullin e 14-të, rreth gjysmën e popullsisë rajonale. Kolonizatorët evropianë përhapën sëmundje teksa zbuluan botën e re, duke sjellë mikrobe që popujt vendas kurrë nuk i kishin hasur dhe kishin mungesë imuniteti ndaj tyre.
Murtaja cocoliztli e vitit 1545 u përhap në atë që sot është Meksika dhe pjesë e Guatemalës vetëm dy dekada pasi një epidemi e lisë kishte vrarë rreth 5-8 milionë njerëz në prag të mbërritjes spanjolle.
Një shpërthim i dytë nga 1576 deri 1578 vrau gjysmën e popullsisë së mbetur.”Nëpër qytete u gërmuan gropa të mëdha dhe nga mëngjesi deri në perëndim të diellit priftërinjtë nuk bënin asgjë tjetër veçse mbanin trupat e vdekur dhe i hidhnin nëpër gropa”, me këto fjalë ka bërë kronikën e asaj periudhe historiani françeskan Fray Juan de Torquemada.
Edhe në atë kohë, mjekët thanë se simptomat nuk përputheshin me ato të sëmundjeve më të njohura si fruthi dhe malaria. Shkencëtarët tani thonë se ndoshta e kanë gjetur fajtorin. Duke analizuar ADN-në e nxjerrë nga 29 skelet të varrosur në një varrezë cocoliztli, ata gjetën gjurmë të bakterit salmonella enterica, të varietetit të Paratyphi C.
Shumë soje të salmonelës u përhapen nëpërmjet ushqimit të infektuar ose ujit dhe mund të kenë udhëtuar në Meksikë me anë të kafshëve të sjellura nga spanjollët, tha ekipi hulumtues. Salmonella enterica dihet se ka qenë e pranishme në Evropë në mesjetë. “Ne kemi testuar për të gjitha patogjenet bakteriale dhe viruset e ADN-së për të cilat disponohen të dhëna gjenomike”, dhe salmonella enterica ishte emri i vetëm i zbuluar, tha bashkëautori Alexander Herbig, gjithashtu nga Universiteti Tuebingen.
Megjithatë, është e mundur që disa patogjenë të jenë ose të pazbulueshëm ose plotësisht të panjohur. “Nuk mund të themi me siguri se S enterica ishte shkaku i epidemisë së cocoliztlit”, tha anëtarja e ekipit Kirsten Bos. “Ne besojmë se ajo duhet të konsiderohet si një kandidat i fortë”./Guardian/