Memorial për holokaustin, Rama kujton fjalët e klerit: “Arin po, hebrenjtë jo!”
Kryeministri Rama dhe përfaqësues më të lartë të trupit diplomatik morën pjesë në inaugurimin e memorialit të parë të Holokaustit në Tiranë. Kreu i Qeverisë u kthye pas në kohë për të treguar historinë e klerit më të lartë kur kërkoi mbrojtjen e popullit Hebre. Ndërsa Ambasadorja amerikane e quajti këtë ngjarje si histori frymëzuese.
Është përuruar në Tiranë Memoriali i parë për Holokaustin. Kryeministri Rama solli në vëmendje rëndësinë që kishte Shqipëria në mbrojtje të popullit hebre, teksa përmedi edhe historinë e përfaqësuesve të klerit shqiptar me nazistët.
Dhe në atë kohë, e gjithë përfaqësia e Klerit ishte në anën e hebrenjve, aq sa mes negociatave për arin e Shqipërisë në Itali dhe izraelitëve, zgjodhën këta të fundit.
Edi Rama: Atyre iu kërkuan dy gjëra; e drejta mbi arin e Shqipërisë së depozituar në Itali dhe lista e hebrenjve të strehuar në Shqipëri. Të gjithë përfaqësuesit më të lartë të klerit asokohe, të krishterë dhe myslimanë dhanë një përgjigje që besoj, është një nga fjalët e arta të historisë së këtij vendi dhe të historisë së vetë klerit: “Arin po, hebrenjtë jo!”
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara, Yuri Kim, e quajti ndihmën e Shqipërisë histori frymëzuese të humanizmit.
Yuri Kim: Pas ngjitjes në pushtet të Hitlerit, shqiptarët shpëtuan qindra hebrenj nga vdekja e sigurt, kur pushtuesit nazistë kërkuan një listë të qytetarëve. Shqiptarët nga gjithë sferat e jetës, myslimanë, të krishterë, të arsimuar, fshatarë, punuan për të shpëtuar miqtë e tyre, hebrenjtë. Punuan për të shpëtuar miqtë e tyre. Është histori frymëzuese e besës shqiptare. Është me të vërtetë një histori frymëzuese e humanizmit, e kurajos dhe e nderit dhe me fjalë të tjera e besës shqiptare.
Zyrtarët izraelitë nuk harrojnë të përmendin mirënjohjen për Shqipërinë, ku ambasadori Noah Gal Gendler u shpreh se Shqipëria mbetet pishtar tolerance, dhe nëse shumë kombe do ta mësonin këtë do ishte e shkëlqyer.