Mençuria e dibranëve dhe tabori i sharlatanëve…
Përsiatje nga cikli “Gazetar midis dy shekujve”
Nga Kristo Mërtiri
-Dëgjomë pak, miku im. Në Peshkopi po vijnë me kuç e me maç nga Tirana, nga grazhdet e politikës së majtë e të djathtë. Ethet e vapës së gushtit janë të prekshme edhe nëpër ekrane e podiume partiake. Të gjithë po shesin moral me okë. Dhe shpirti u dridhet si purtekë për fatin e kolltukut sipëror të Bashkisë. Veçse Shqipëria nuk është vetëm Peshkopia dhe anasjelltas. Mirëpo nuk mbaj mend të ketë pasur ndonjëherë kaq shumë qeveritarë e opozitarë anës Drinit. Sikur po hutohen e ngrenë supet edhe vetë 9 malet e Dibrës bashkë me majën e famshme të Korabit. Daullet e çjerra të taboreve të politikës po kalamendin e trembin edhe foshnjat në djep. Beteja elektorale për 11 Shtatorin ka nisur me borie e qemane pluraliste. Ndoshta nuk u ngjajnë shumë betejave të vjetra historike të Torviollit apo asaj në fushën e Vajkalit ku shpëtoi vetëm Ballaban pasha dhe as betejës së Dibrës ku luftëtarët e Skënderbeut mundën trupat osmane të drejtuara nga Moisi Golemi. Ky i fundit braktisi sheshmejdanin duke shkelur mbi kufomat… Sot po mblidhen i madh e i vogël, me cull e me mull, rreth liderëve nga kryeqyteti që zbresin prej veturave luksoze pasi kanë udhëtuar së paku 4 orë nëpër gropat e pluhurin e rrugës së plakur e brinjëdalë. Fishekzjarrin e parë e lëshoi me gojë vetë Rama: “Unë nuk do të largohem nga zyra e kryeministrit pa bërë Rrugën e Arbrit!”… Pa ikur 3 ditëshi i këtij betimi përvëlues, u përgjigj flakë për flakë Basha: “Punët i bitis ai që i nis. Ne që e nisëm, ne do ta përfundojmë !”… Ndërsa dibranët e urtë, të mençur e hokatarë, i shkelin syrin njeri-tjetrit, nënqeshin paksa hidhur dhe lëshojnë batuta me piper e plot qesëndi. Përballë halleve sa një mal, ata shikojnë e dëgjojnë të trishtuar edhe broçkulla nga ish- ofiqarë, militant partie e ushtarë të thekur kryetarësh, ministra e deputetë të djeshëm e të sotëm, të tjerë me spaleta e pa spaleta po mbjellin një lloj furtune për të korrur 11 shtatorin. Me kile apo me okë, thasët me miell nuk ua marrin dot fiqirin dibranëve edhe kur në to kanë lyer putrat dhelprat e politikës…
Unë i kam njohur herët njerëzit e thjeshtë të kësaj treve të dashur e hijerëndë, qysh në bankat e shkollës. Më vonë kam ngrënë në një sofër e kam fjetur nën një çati bashkë me familjen time. Që nga Golloborda, Gradeci poshtë Dovolanit e buzë Drinit dhe gjer te ata në lagjet e mirënjohura të kryeqytetit. Falë profesionit të gazetarit, dëgjova e mësova shumë në këto vatra prushndezura. Sot, një bijë dibrane më ka bërë dy herë gjysh mua nga Gryka e Këlcyrë-Mezhgoranit, më ka falur dy engjëj të shenjtë e të shtrenjtë… Kur shikoj taborët me ca sharlatanë të djathtë e të majtë nëpër udhët erëmolle të Peshkopisë e me trastat votambledhëse të hedhura mbi supe, kujtoj një llaf me kripë: “Në Peshkopi mund të vijnë nga Tirana mjaft pehlivanë të hipur mbi kuaj, por ama ikin me gomar …”. Dhe lenë prapa fjalimet, përrenjtë me betime e premtime, ikanakë e shtirakë pseudodemokratë e pseudosocialistë, taborë që kthehen përmes baltës e pluhurit mbytës të rrugës së vjetër shkretane. Mbi 4 orë marshim elektoral! Në një kohë kur Rruga e re e Arbrit është llogaritur vetëm 45 minuta me Tiranën. Janë jo pak, por 10 vjet që kjo e uruar lidhje është kthyer në një makth e zhgënjim real për çdo dibran e më gjerë. Se politika me e pa moral ka kohë që nuk hyn e të ulet këmbëkryq në odat e shquara dibrane, atje ku urtësia e mençuria popullore gufosin çdo demagog të djathtë e të majtë. Personalisht kam bindjen se dibranët e vërtetë nuk bien lehtë në llumin e psikologjisë së turmës pa kokë, që vjeljet e kësaj vjeshte i lidhin me kartat në kutitë e votimit! Më thoni, a keni dëgjuar këto ditë ndonjë bilanc apo ndjesë publike nëpër sheshe e udhë, për gënjeshtrat dhe bëmat mbi kurrizin e njerëzve të thjeshtë? Përse nuk bëzan djali dinjitoz i nahijes, socialisti veteran kokëplot e i pakorruptuar, Shkëlqim Cani? Po deputetët e djeshëm të djathtë, me ç’sy e faqe shkojnë sot përballë elektoratit fukara? Dibranët e kuptojnë mirë atë mikun tim të vjetër e publicist i rrallë: “Politika është një grua lozonjare që na josh, na tund shaminë dhe ne gënjehemi pas saj. Dhe, ndonjëherë fatkeqësisht, jemi gënjyer nga kjo lozonjare. Jemi penduar, por ka qenë vonë…”.
Fjala vjen, në mesvitet tetëdhjetë, unë dhe kolegët e mi kemi shkruar se qyteti i Peshkopisë kishte gati 9 mijë banorë. Po sot sa janë shtuar në demokraci? Ose ideja e ndërtimit të banesave me punë vullnetare, a e dini se ku lindi e hodhi shtat në tërë Shqipërinë? Aty, në gjirin e punëdashësve të mëdhenj dibranë 49 vjet më parë, pas tërmetit të paharruar të 30 Nëntorit 1967. Historia mban shënim e kujton: Pasojat e asaj fatkeqësie të rëndë natyrore u likuiduan në kohë rekord nga duart dhe djersa solidare e tërë vendit. Më tej. Atëherë kemi shkruar se ky rreth kishte 22 shkolla të mesme; 76 tetëvjeçare; 185 kopshte parashkollore; 165 biblioteka; 13 spitale e 27 shtëpi lindjeje; 113 shtëpi e vatra kulture; 121 muze; estradë e teatër profesionist; 165 ambulanca shëndetësore etj. Ku janë vallë ndryshimet gjatë një çerek shekulli pluralizëm politik? Zotërinj liderë e kandidatë për kryetar Bashkie, a mund të na thoni publikisht sukseset e arritura kur kanë drejtuar të djathtë e të majtë? Ose para se të flasim për mercenarizmin neveritës e ulëritës, a keni haber për atë batalionin partizan që u krijua në Gjoricën e Sipërme dhe çliroi këtë qytet të dashur duke u përleshur dhëmbë për dhëmbë me rreth 3 mijë forca mercenare? (Ju lutem, mos i ngatërroni asnjë sekondë me ata këmishëzinjtë e sotëm që marshokan paturpësisht gjoja “në mbrojtje të votave”(?). Po vazhduat me këta qoftë edhe dy orë, davanë e keni të humbur !). Dibranët nuk kanë duruar asnjë pasha e vezir, e jo më ca karafila. Ndërsa politikanëve që çirren e ngjiren, pasi të na thonë se ku përfundoi ai masivi i pemëtores së shumënjohur që rrethonte si me kurorë bukurie Peshkopinë, po u jap një këshillë falas. Në daç ta mbajnë, në daç ta hedhin poshtë: Nëse gjejnë, le të përdorin nga ai mjalti çudibërës e mjaft aromatik në shkallët e qytetit. E kam parë me sytë e mi shpërthimin e luleve të mollës dibrane në prill-maj dhe atë dyndjen e menjëhershme të bletëve drejt nektarit e polenit të saj. Zotërinj politikanë e kandidatë, me sa rrënjë është shtuar blloku i famshëm i mollëve, kumbullave e dardhave, këto 25 vitet e fundit ? Dikur ujët shkonte rrënjë më rrënjë. Po ku ta gjej vallë njeriun e mirë Gani Tuçepi me shokë, mjeshtrin Hero të ndërtimit të urave, kanaleve ujitës e të rezervuarëve? Jo më kot u them më të rinjve në moshë e në gazetari, se gjurmët e arta të këtij ish- komunisti të ndershëm i gjeni te 8 urat këmbësore mbi Drin. Por edhe në çdo cep të Dibrës e të Matit, në Elbasan, Pogradec, Durrës e gjer në Sarandë. Atje ku shuhej etja e tokës, bimëve e pemëve. Prandaj e kërkonin dhe e nderonin aq shumë atë dibran të rrallë e mendjehapur edhe pas daljes në pension. Se njerëzit e kësaj treve djersëmbuluar, kurrë nuk i bëjnë ojna (naze) punës. Respektohen kudo, brenda e jashtë Shqipërisë. Ndërsa politika dhe qeveritë e saj që shkojnë e vijnë me taborë e tambura irrituese, i kanë lënë në pellgun e mjerimit “pluralist”…
11 Shtatori po troket dhunshëm nga duart e qelbura të politikës pa kurrfarë morali e larg traditës së çmuar zakonore. Cila politikë e cili politikan do bëhet “kurban” në atë qytet të kulturuar? E tha bukur miku im i vjetër publicist : Atje në Peshkopi duan të luajnë “kaladibrançe” të pacipët! “Luajnë të ndarë në dy grupe, njëri prej të cilëve formon një rreth me lojtarë të kapur për beli e të përkulur, ndërsa ata të grupit tjetër përpiqen të hipin në shpinë të tyre pa u prekur nga një lojtar i lirë… “. Megjithkëto, një pikëpyetje rri ende varur mbi sofatet e portave dibrane: Mos shpëtojmë nga lumi e biem në det ?!…Se mençuria e tyre e mirënjohur flet shumë edhe përmes heshtjes a vështrimit depërtues. Shkurt, dibranët nuk kërkojnë qiqra në hell dhe as kallinj në akullin e majës së Korabit! Pikërisht, këtë nuk e dinë saktë ose nuk duan ta dinë sharlatanët e sotëm nëpër istikamet partiake e shtetërore. Mbi 30 e ca vjet më parë, isha me shërbim nga gazeta emërdhembshur “Bashkimi”, atje buzë Drinit në Gradec. Maj mend edhe një fabul të vogël tip anekdote, rrëfyer bukur nga banorët e thjeshtë mikpritës : “…Valiu i një vilajeti po shkonte për në Prefekturë. Populli i doli para. Mirëpo një burrë i moshuar po rrinte anës udhës e nuk po luante vendit.-Po vjen valija, hajde t’i dalim para!,-i thërret dikush. – U s’kam punë me valinë,-përgjigjet ai. Valiu po afrohej te plaku dhe e pyeti:-Po ti, more,ç’ban ktu ? –Po rri…
-Po ti a s’e more vesh që ka ardhë valija ? Pse mos me m’dalë para me shokë ?
-Pse t’të dal?
-Se jam valiu i vilajetit.
-Po mas, ç’bohesh?
-Ministër.
-Po masanej?
-Kryeministër.
-Po ma tutje?
-Ma tutje s’ka ma, se mreti nuk ma lshon venin; masanej hic.
-Po unë qe tash jam hiç, ti n’gradën teme hala s’ke ardhë, pranaj hec udhës tane!…
KOHA JONË SONDAZH

