“Mendimtari” i Auguste Rodin, më i themelti meditim i botës së artit
Albert Vataj
Askush më parë nuk guxoi të hidhte një peshë kaq të përbindshme mbi meditimin e një mendimtari, siç e bëri skulptori i famshëm francez, Auguste Rodin (12 nëntor 1840 – 17 nëntor 1917).
Ndoshta është nga të vetmi që i besoi gjithë universin ta kridhte mbi këtë kumt. Çdo nerv, muskul, çdo tendosje e përfytyrim, zëshmëri e andje, i këtij kurmi të murosur, është tejet i tendosur, si fijet e tejdukshme të ndijimeve tona në harpën e këndimit të legjendave dhe betejave epike.
Ai duket se jo vetëm është ulur të prehet mbi një shkëmb, por sikur ka shpërthyer prej shkëmbit dhe me një zë që thërret gjëmimshëm nga thellësia e kohrave, u pëshpërit brezave jehonat e ferrparajsës, u kumton shpirtin e poetin dhe zemërthyerën e vjershëtorit që e shtresoi gjithmonshmërinë në katet e një llave shkrirëse përfytyrimi, duke rrëmuar në kohje zë dhe zemër që dëgjohet psherëtimave.
Ashtu i pleksur ai mëton mendimtarin, forcën e transformimit të botës, atë çfarë shpirti i dritur i dijes e kurmi i drobitur pasionit, rreken të sendërtojnë atë gjithëgjasje, të shenjtëruar nga poeti, nga zemra dhe zjarri, nga fjala dhe fryma.
Në të, gjithçka është kaq e plotpushtetshme, kaq gjithëkumtuese, kaq madhështor, sa ç’mund të mëtojë me një solmenitet të hyjshëm krijimi.
Në të është shtresëzuar botë e idilit dhe përfytyrimit, është formësuar kësisoj, përmes ngulmesh dhe shpirtëzimesh në trajtën e pashpërbëshme poeti, jeta, universi, gjithmonshmëria që gjegj në vargje siç del nga breng e një shpirtjeje.
Ai që skulptori ka ngërthyer me një barrë të peshës së botës, është ai, poeti, farkëtuesi i fjalës dhe ndijimit në zjarr e llavë, në ferr e parajsë, është Dante i paarritshëm, Komedia Hyjnore, është ai që krijoj gjithsinë shpirtërore nga tharmi i pulsit të një zemre, ai që na solli Parajsën, që në mësoi Purgatorin, që na tregoi Ferrin, ai që i dha jetës dhe shpirtërores caqet përjetshme.
Mendimtari është kredhur në këtë meditim, teksa mban peshën e botës dhe shpirtit, pasionit dhe kurmit, barrën e gjithçkasë që përpëlitet në asgjënë e atyshmërisë që kërkon një çast sublim krijimi në një përplesje trupash qiellor dhe njerëzor.