Menjëherë pas zgjedhjeve, nisin investimet në Elbasan. Llatja dhe Qose inspektojnë punimet në Labinot-Fushë

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, i shoqëruar nga deputeti i sapozgjedhur më 11 maj, Adi Qose, kanë inspektuar nga afër punimet që kanë nisur për asfaltimin e rrugës në lagjen e Ballinjve, pjesë e fshatit Labinot, në njësinë administrative Labinot Fushë.

Menjëherë pas zgjedhjeve, Bashkia Elbasan ka nisur me intensitet ndërhyrjet për sistemimin dhe përmirësimin e infrastrukturës, me qëllim rritjen e cilësisë së jetesës për të gjithë banorët. Rruga që po ndërtohet ka një gjatësi prej 465 metrash linearë dhe është pjesë e një plani më të gjerë investimesh si në qytet, ashtu edhe në zonat rurale.

“Ky investim ishte i domosdoshëm për shkak të kushteve të vështira të terrenit dhe problemeve të vazhdueshme të shkaktuara nga përroi i Gurrës, i cili shpesh, në periudha reshjesh të mëdha, ka dëmtuar tokat bujqësore dhe ka paraqitur rrezik për banorët,” tha kryetari Llatja. Ai shtoi se ndërhyrja ka nisur me pastrimin e përroit dhe po vijon me asfaltimin, një projekt i diskutuar më parë me banorët gjatë procesit të buxhetimit me pjesëmarrje.

Swiss Digital Desktop Reklama

Gjatë inspektimit, deputeti Adi Qose falënderoi kryetarin Llatja për angazhimin dhe realizimin e këtij investimi, duke theksuar se ishte një kërkesë e hershme e komunitetit lokal. “Kjo rrugë është tejet e rëndësishme pasi e lidh zonën me rrugën nacionale dhe përmirëson ndjeshëm jetën e banorëve. Është një premtim i mbajtur dhe një ogur i mirë që punët po nisin nga Labinoti Fushë,” tha Qose.

Swiss Digital Mobile Reklama

Bashkia Elbasan ka ndërmarrë ndërhyrje të shumta në fshatin Labinot Fushë, veçanërisht në përmirësimin e shtresave asfaltike të rrugëve të lagjeve, si pjesë e një plani gjithëpërfshirës zhvillimi.

“Zgjedhjet përfunduan, tani jemi të gjithë të mobilizuar për të punuar dhe për të qenë në shërbim të qytetarëve,” përfundoi Llatja.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Pas vendimit të gjykatës kushtetuese a duhet liruar Erion Veliaj dhe të gjykohet në gjëndje të lirë?