Mesazhi i Dom Gjergjit: Rinia po ikën nga papunësia, nuk pranojnë të jenë skllevër
Dom Gjergj Meta, ipeshkv i Rrëshenit, zgjodhi meshën që shënoi muajin e kremtimeve kushtuar Zojës së Këshillit të mirë, pajtores së Shqipërisë për të kërkuar një moment reflektimi për gjendjen e gruas shqiptare në kohët që jetojmë.
“Ka ende shumë gra që dhunohen, diskriminohen, që nuk u jepet zë në shoqëri dhe as në kishë. Nuk ka vlerë asnjë meditim, asnjë rruzare, asnjë devocion, as një shtegtim në vendet e Zonjës nëse nuk hedhim sytë e mendjes dhe zemrës nga Zojat e jetës sonë të përditshme”, thotë Dom Gjergj Meta.
Po ashtu Meta e vuri theksin tek plaga e papunësinë, por dhe fenomeni i shfrytëzimit në punë. ”Papunësia është fenomen shqetësues, i cili ka bërë që qindra e mijëra të rinj shqiptarë të braktisin vendin tonë. Fenomen ky që ende vazhdon dhe ka gjasa të vazhdojë akoma nëse nuk vihen në jetë programe dhe strategji punësimi. Nga ana tjetër shfrytëzimi i punëtorëve duke mos i paguar ata si duhet, duke i nënpaguar apo edhe kur i paguan mirë me koston e të shndërruarit në skllevër të zotërinjve të tyre”,- deklaron Dom Gjergj Meta.