Mesazhi i fortë për këtë 8 Mars jehon në Durrës, tribut me këpucë të kuqe për gratë e vrara (FOTO)
Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, mesazhi më i fortë vjen nga teatri ”Aleksandër Moisiu” në Durrës. Një tribut ndaj të gjithë atyre nënave, motrave, vajzave e grave, që humbën jetën nga dhuna e burrave.
Shkallët e galerisë “Nikolet Vasia” ishin mbushur me këpucë të kuqe, që janë mbledhur jo vetëm nga gratë e qytetit, por edhe më gjerë. Ato janë simbol i humbjes së jetës së grave si pasojë e dhunës barbare të ushtruar mbi to.
Qarku i Durrësit, sipas të dhënave të INSTAT, ka numrin më të lartë të grave të dhunuara. Regjisorja e teatrit Driada Dervishi, theksoi gjatë fjalës së saj se simbolika e aktivitetit të sotëm është pikërisht ndërgjegjësimi i të gjithëve për këto fakte tronditëse.
Misma “Këpucët e kuqe” vjen për herë të parë në Durrës. Që prej vitit 2009, këpucët e kuqe të Elina Chauvet, artistes meksikane që humbi motrën si pasojë e dhunës në familje, kanë shëtitur botën. Prej më shumë se njê dekade “Këpucët e kuqe” vijnë si simbol i humbjes së grave nga dhuna.