Mesazhi i Kiço Londos. Shfaqja anti-diktator në sheshin e protestave për Teatrin Kombëtar
Nga Fatmira Nikolli – Në pastë këtu në këtë mbledhje ndonjë mik me zemër të Cezarit, atij i thoni që Bruti e desh Cezarin jo më pak se ai. Dhe në më pyettë ai mik përse Bruti u ngrit kundër Cezarit, përgjigjja ime është kjo; Jo se e desha Cezarin më pak, po se e desha Romën më tepër…
Qaj për Cezarin, se më donte; gëzohem se qe dorëmbarë; e nderoj, se qe trim; po e vrava, se qe ambicioz. I dhashë lot për dashurin’ e tij, gaz për mbarësin’ e tij, nder për trimërin’ e tij dhe vdekje për ambicien e tij”. (“Jul Cezar”, përkthim i Fan Nolit).
Kiço Londo e nxjerr tragjedinë ‘antidiktator’ nga skena e teatrit në shesh. Një mesazh i fortë në një kohë trazirash. Dhe nuk është një shesh i çfarëdoshëm, por është sheshi mes teatrove dhe sheshi para Ministrisë së Brendshme. Është sheshi ku prej një viti mbahen protesta të përnatshme në mbrojtje të vetë teatrove që qeveria ka vendosur t’i rrëzojë për të ndërtuar një të vetëm, me një procedurë të debatueshme dhe kundërshtim të vazhdueshëm. Prej aty, Bruti do të thërrasë “Jo se e desha Cezarin më pak, po se e desha Romën më tepër”, por prej aty, më herët Cezari do ketë thënë “Edhe ti Brut? Atëherë, bjer Cezar”. Kiço Londo që nuk e rrëzoi kurrë Cezarin, e që prapë e deshi, e qau dhe e nderoi, do t’i vërë fre ambicies së tij, jo sepse e do atë më pak, po sepse e do Romën më shumë. Mbase një prej veprave më të forta politike, shënon premierën në një kohë krize në Tiranë ku përfshihen institucionet kryesore të vendit. Prej sheshit mes teatrove, dënuar me shkatërrim, Bruti, Mark Antoni dhe vetë Cezari do t’i drejtohen njëri-tjetrit, në një shfaqje krejt të veçantë që zhvendoset në katër ‘skena’ të ndryshme të oborrit mes dy teatrove kombëtarë derisa mbërrin në këmbët e Ministrisë së Brendshme. A do të restaurohet republika, apo vendi do të shkojë në luftë civile? E gjitha varet nga koncepti regjisorial i kroatit Ivica Buljan. Se kush është Bruti, Cezari, e Mark Antoni dhe cili do jetë fati i Romës, mbetet për t’u parë. Skenat e tragjedisë lëvizin duke e bërë publikun të zhvendoset pas çdo skene duke qenë dëshmitar i një shfaqjeje të veçantë. Nuk është e thjeshtë të rrëzosh ‘monarkun’.<img
PREMIERA
“Jul Cezari” nga William Shakespeare vjen premierë më 13 korrik nën drejtimin e regjisorit i njohur, Ivica Buljan i konsideruar si një nga regjisorët më të mëdhenj në botë, sipas New York Times. Me aktorët Romir Zalla, Alfred Trebicka, Vin Bejleri, Amos Muji Zaharia, Gentian Zenelaj, Ermira Hysaj, Ilirda Bejleri, Adriana Tolka, Klejdi Metaj, Mateo Dervishaj, Endri Çela, Engjëll Hoxha, Enea Nika, Paolo Kadillari, Anxhelo Shkreli.
Kostumografe e shfaqjes është Sofi Kara, skenograf Beqo Nanaj, kompozitor Gerti Druga, regji ndriçimi Sonda Trinajst, as/regjisor Mateo Dervishaj.
Tragjedia e Jul Cezarit është një tragjedi historike nga Uilliam Shekspir, e cila besohet të jetë shkruar në vitin 1599. Është njëra prej disa veprave dramatike të Shekspirit, që bazohen në ngjarje të vërteta nga historia romake dhe që përfshijnë edhe Koriolanus dhe Antoni dhe Kleopatra. Edhe pse vepra titullohet Jul Cezar, Bruti flet në më shumë se katër herë po aq rreshta sa karakteri kryesor dhe drama psikologjike qendrore e pjesës fokusohet mbi betejën e Brutit mes kërkesave konfliktuale të nderit, patriotizmit dhe miqësisë.
Në këndvështrim të sfondit historik, pjesa reflekton ankthin e përgjithshëm të Anglisë elizabetiane mbi vazhdimësinë e lidershipit. Në kohën kur u krijua dhe u vu në skenë për herë të parë, Mbretëresha Elizabet, një sovrane e fortë, ishte e moshuar dhe refuzonte të emëronte një pasues, duke u hapur udhë shqetësimeve, se pas vdekjes së saj mund të shpërthente një luftë civile, e ngjashme me atë të Romës.
KUSH ËSHTË IVICA BULJAN
Regjisori Ivica Buljan ka studiuar shkenca politike në Zagreb dhe fillimisht ka punuar si shkrimtar dhe kritik i rregullt i teatrit për “Slobodna Dalmacija”, një gazetë e përditshme e botuar në Split, Kroaci. Buljan me shkrimet e tij profesionale ka bashkëpunuar edhe me revistat teatrore ndërkombëtare “Primer Acto” (Madrid), “Ubu” (Paris, Londër), “Mask” (Ljubljana). Fillimisht nisi të punojë me skenën teatrore si drejtues teatri dhe i disa festivaleve ndërkombëtare teatrore.
Shfaqjet e tij kanë qenë pjesëmarrëse në më shumë se 30 vende të ndryshme. Duke u mbështetur në filozofinë krijuese të Antonin Artaud, teatri i tij fokusohet në protagonizmin e aktorit dhe ruan linjat klasike të teatrit.
Buljan ka drejtuar Teatrin Kombëtar Kroat në Split, gjatë viteve 1998-2002. Në vitin 1999, gjatë kohës që ai e drejtonte, Teatri Kombëtar Kroat u bashkua me Konventën e Teatrit Europian. Buljan është, gjithashtu, bashkëthemelues dhe drejtor artistik i Teatrit Mini në Lubjanë, si dhe themelues dhe drejtor i Teatrit të Ri në Zagreb. Ai është anëtar i Shoqatës Ndërkombëtare të ETJ në Bruksel, Instituti i Teatrit Mesdhetar në Madrid dhe ITI-UNESCO në Paris. Së bashku me Dubravko Vrgo?, Buljan themeloi Festivalin e Teatrit Botëror në Zagreb në vitin 2003 dhe ishte drejtor artistik i saj. I vlerësuar për mjeshtërinë e tij dhe sukseset skenike Buljan ka dhënë mësime teatri në Paris, Bruksel dhe Moskë dhe si lektor ligjërues në La MaMa në Nju Jork. Gjithashtu, ai është profesor në Akademinë Kombëtare të Teatrit në Saint-Étienne, Francë. Si dramaturg, ka punuar në Kroaci, Francë dhe Slloveni dhe ka bashkëpunuar në më shumë se njëzet projekte ndërkombëtare me drejtorë të tillë si Vito Taufer, Matjaž Pograjc, Christian Colin, Pierre Diependaele, Jean-Michel Bruyere, Krizstof Ëarlikoëski, Eduard Miller, Robert Waltl.
Botuar në Gazeta Shqiptare. Titulli është i redaksisë. Titulli origjina: ‘JUL ÇEZARI’/ Kiço Londo nxjerr shfaqjen nga salla në sheshin mes teatrove