Mesazhi nga Dom Gjergj Meta: Mos jeto jetët e të tjerëve, bano jetën tënde sepse aty gjendet gjithçka për të cilën ke nevojë
Nga Dom Gjergj Meta
Kur ti të mos jesh më jeta do të vazhdojë. Njerëzit do t’i kthehen punës, madje pjesa më e madhe as nuk e kanë ndëprerë atë pse ti po ikën pa kthim. Kush e di si mund të jetë çasti i mbramë i secilit prej nesh? Nuk e di askush. Ama e dimë se në çastin kur qivuri do të mbulohet nga dheu amë një nga një do të shihen vetëm shpina njerëzish, edhe të atyre më të dashur, duke ikur. Dhe kjo është e drejtë! Duhet të ikin të zënë jetën, sepse ajo pret të jetohet.
Jeta vazhdon dhe pas teje dhe ti nuk e shteron atë sado të jetosh. Prandaj jeto tëndën, atë jetë që të është dhënë ty; atë fragment sado i vogël a i madh, sado i lehtë apo i vështirë, atë jeto! Mos merr ditë nga ditët e të tjerëve.
Jeto vetëm ditët e tua. Mos jeto jetët e të tjerëve, bano jetën tënde, sepse aty gjendet gjithçka për të cilën ke nevojë. Aty është e vetmja mundësi të kapësh ndonjë shenjë që vjen nga përtej teje. Brenda jetës dhe të këtueshmes së saj gjendet e përtejshmja. Brenda limitit të kohës së jetës gjendet e amshueshmja.
Sigurisht, jetohet me të tjerët, madje jetohet edhe për të tjerët, por ama nuk jetohet në vend të të tjerëve, nuk jetohet për inat të të tjerëve.
Nëse ke jetuar jetën tënde, në fund të ditëve ndoshta do të shoqërojë një buzëqeshje e zemra jote do të pushojë butësisht. E do të kuptosh se jeta vazhdon edhe pas teje, se nuk e ke mbaruar të gjithën e faleminderit Zotit ka për të gjithë.