Mesila Doda kritika Metës: Çështja Çame po tentohet të futet në kalendat greke
Vizita e kreut të Kuvendit, Ilir Meta në Athinë ka sjellë reagime nga deputetët e Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Mesila Doda, në një postim në Facebook, shkruan se Meta si Kryetar i Parlamentit nuk mund të kërkojë nga Greqia më pak sesa ka kërkuar për çështjen çame në vitin 1999, ku ishte Kryeministër.
Qëndrimi i plotë i deputetes Doda:
“Me deklaratën e fundit të komisionerit Hahn si asnjëherë më parë çështja çame doli nga korrniza e marrdhënieve dypalëshe. Brukseli u shpreh dhe kërkoi që të trajtohej në paketën e çështjeve që rrinë pezull midis dy shteteve. Në këto kushte gjithë politika shqiptare do duhet të flasë me një zë të vetëm, një dhe pa asnjë ekuivok, pa shprehje dykuptimshe e gjuhë të lidhur në takime zyrtare e aq më keq ti jepet oksigjen qëndrimeve arkaike e agresive të Kotzias e gjithë të tjerëve që janë bashkëfajtorë kur mbulojnë një krim gjenocidi të konsumuar nga paraardhësit e tyre. Çështja çame është çështje e të drejtave të njeriut dhe nuk futet dot në kalendat greke me shprehje të tipit kemi qasje të ndryshme, sepse qasje të ndryshme kemi 100 vjet që i kemi patur për këtë çështje dhe pikërisht indiferenca e pafuqia e shtetit amë lejoi që të digjej e vritej një krahinë e tërë e një popull hero e martir.
Shteti shqiptar ka memorje të vetën në deklarimet dhe kërkesat zyrtare. Bash për këtë nuk mundet që një delegacion zyrtar i kryesuar nga kryeparlamentari Meta në vitin 2016 të kërkojë më pak nga çka kërkuar kryeministri Meta në 1999 kur kërkonte kthimin e pronave dhe rrespektimin e konventave ndërkombëtare, kur ministri I jashtëm Panariti kërkonte para homologut grek që të fillohen diskutimet përkatëse për çështjen çame, dhe kur Parlamenti I Shqipërisë miratonte Rezolutën çame që është një akt zyrtar e I detyrueshëm.
Historia e Shqipërisë ka modele nga më të ndryshmet përgjatë udhëtimit të saj nëpër vite, ka Mujo Ulqinak por ka edhe Esat Pash Toptan, varet kë model një politikan kërkon dhe zgjedh”.

