Mësimi i gjuhës shqipe në mërgatë, propozohet miratimi i pr/ligjit në Kuvend

 

Një projektligj për mësimin e gjuhës shqipe në mërgatë është propozuar për miratim nga Abdurrahim Ashiku, ish-mësues dhe gazetar.

Pr/ligji propozon që shpenzimet për shkollimin shqip të fëmijëve në mërgim të miratohen si zë i veçantë në buxhetin e shtetit të Shqipërisë, ndërsa shkollat shqipe në mërgim të jenë pjesë organike e shkollës shqipe të Republikës së Shqipërisë.

Në një relacion shoqërues të pr/ligjit të propozuar, Ashiku thekson se mësimi i Gjuhës Shqipe në Mërgatë nga fëmijët e brezit që lindën dhe u rritën në mërgim është një detyrim kushtetues që rrjedh nga nenet 8 dhe 57 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Më 23 mars 2015, në protokollin zyrtar të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, Qeverisë së Republikës së  Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, në pikën 6 flitet për një marrëveshje të bashkëpunimit për “Organizimin e Përbashkët të Mësimit të Gjuhës Shqipe dhe të Kulturës Shqiptare në Diasporë dhe Mërgatë”.

Kanë kaluar muaj nga 23 marsi 2015 i mbledhjes së dy qeverive pa një zë të vetëm për organizimin e mësimit të gjuhës shqipe në diasporë dhe, sikur kjo mos ishte e shkruar e zeza mbi të bardhë dhe të ishte përcjellë nga të gjitha mjetet e komunikimit modern, për ironi Ministria e Arsimit dhe e Sporteve, ndonëse paralajmëroi se do të ishte e pranishme me një person të saj në një orë mësimi me fëmijët shqiptarë në Greqi më 26 prill dhe se do të merrte pjesë në seminarin e 8-të për mësimin plotësues të gjuhës shqipe në Greqi organizuar nga Lidhja e Mësuesve Shqiptarë”, jo vetëm nuk erdhi njeri por nuk dërguan qoftë edhe një e-mail të thjeshtë në shenjë urimi për këtë ngjarje me vlera të mëdha për mbijetesën e gjuhës shqipe në brezin më të ri të mërgimtarëve”, thuhet në relacion.

 

PROJEKT LIGJ PËR MËSIMIN E GJUHËS SHQIPE NË MËRGATË

Në mbështetje të neneve 8 dhe 57 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë,  në LIGJIN Nr. 69/2012 PËR SISTEMIN ARSIMOR PARAUNIVERSITAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË,Neni 11 (Arsimimi për fëmijët shqiptarë jashtë vendit), sidhe të përvojës katërmbëdhjetëvjeçare të mësimit plotësues të gjuhës shqipe nga mësues vullnetarë në Greqi e gjetkë,

KUVENDI i REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË:

VENDOSI

Neni 1.

Të njihet mësimi i gjuhës shqipe në mërgatë, shkollat dhe mësuesit.

Neni 2.

Shpenzimet për shkollimin shqip të fëmijëve në mërgim miratohen si zë i veçantë në Buxhetin e Shtetit të Republikës së Shqipërisë.

Neni 3.

Shkolla shqipe në mërgim është pjesë organike e shkollës shqipe në Republikën e Shqipërisë.
Neni 4.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Arsimit dhe e Sporteve të lidhin aktmarrëveshje me të gjitha vendet pritëse të mërgimtarëve shqiptarë në mënyrë që mësimi të zhvillohet në mjediset shkollore, si gjuhë e dytë ose si mësim plotësues i Gjuhës Shqipe.

Neni 5.

Burim për financimin e mësimit të gjuhës shqipe  në mërgatë  janë:
a.- Buxheti i shtetit;
b– të ardhurat nga shërbimi konsullor në ambasadat dhe konsullatat e Republikës së Shqipërisë në botë:
c.- dhurimet dhe sponsorizimet;
d.- të ardhura të tjera të ligjshme.

Neni 6.

Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktet nënligjore që rrjedhin nga ky ligj.
Shënim: Ftoj deputetët, Presidentin, Kryetarin e Kuvendit, Kryeministrin, Ministrin e Punëve të Jashtme, Ministren e Arsimit dhe Sporteve, shoqërinë civile, median e shkruar dhe elektronike, të gjithë ata që e kanë në shpirt gjuhën e bukur shqipe, t’i mbështesin me të gjitha mënyrat mësuesit e gjuhës shqipe në mërgatë që fjala dhe germa shqipe të jetojë ndër breza… 

Abdurahim Ashiku

Gazetar-ish mësues
Shënuar më 1 qershor 2015, Ditën Botërore të Fëmijëve

 

SHKARKO APP