Mësimi online “fundos” studentët, familjet paguan 2 mln euro për internetin vetëm në një muaj
Në një muaj familjet e studentëve shqiptarë shpenzojnë rreth 2 mln euro për të pasur akses në intertnet për mësimin online. Studentët vlerësojnë me notën 8 pedagogët, dhe me notë kaluese sekretaritë e fakulteteve. Ndërkohë kurset profesionale, mësimi vijon normalisht në kabinete.
Këtë vit studentët janë përballur ndër të tjera edhe me kosto e interneti për të marrë pjesë në klasat virtuale.
Sipas një raporti të Qëndresës Qytetare, në një muaj familjet e studentëve shpenzojnë rreth 2 mln euro për internet, vlerë për të cilën të rinjtë kërkojnë një rimbursim.
“Kemi përllogaritur se familjeve shqiptare ju kushton më shumë se 2 mln euro në muaj që fëmijët e tyre të marrin aksesin e duhur në mësimin online. Një fenomen tjetër është që studentët për të aksesuar mësimin online ju drejtohen vendeve ku ka internet me cilësi si bar-kafe, restorante që në njëfarë mënyre është dhe grumbullim më vete.”
Gjatë kësaj periudhe studentët kanë vlersuar me notë kaluese shërbimin e sekretarive të fakulteteve, dhe me notën 8 pedagogët.
Sipas këtij raporti, vetëm 60 % e studentëve kanë marrë pjesë në mësimin online, ndërsa me shqetësim shohin degët 2 vjeçare.
“Mësimin online e kanë vlerësuar me notën 6,pedagogët i kanë vlerësuar me notën 8 për gatishmërinë dhe sakrificën e tyre.”
Por ndërkohë që auditoret në universitete janë bosh, formimi profesional ka vijuar mësimin normalisht, të ndarë në turne dhe duke respektuar të gjitha masat anti-Covid, shpjegon drejtoresha e këtij institucioni Hanëme Mata.
“Mësimi ka filluar që në qershor por duke i qëndruar rregullave të pandemisë. Kemi bërë dhe alternime, një pjesë e këtyre kurseve i kemi kaluar në praktikë dhe një pjesë tjetër ka zhvilluar mësimin pranë institucionit.”
Në kurset profesionale, deri tani nuk ka lindur nevoja e kryerjes së mësimit online, kjo jo vetëm për shkak të koordinimit me turne, por edhe për domosdoshmërinë e të qënit në kabinet. /Ora News