Mësuesit ndihmës në shkolla, riintegrim i fëmijëve të vetizoluar
Ndihma që u jepet fëmijëve me aftësi të kufizuar në shkolla përmes mësuesve ndihmës dhe shërbimit psiko-social, shmang fenomenin e braktisjes ku për shkak të mos integrimit të fëmijëve në ambientin shkollor, ata vetë izolohen. Roli i mësuesve ndihmës është deciziv në lidhje me mbarëvajtjen në mësime të nxënësve kryesisht ata me aftësi të kufizuara. Prania dhe puna e mësuesit ndihmës, krahas mësuesit të klasës apo të lëndës, lehtëson në mënyrë të ndjeshme integrimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara në ambientet e shkollave të zakonshme dhe mundëson një arsimim shumë më cilësor për këta fëmijë.
Valmira Ramaj, mësuese ndihmëse pranë shkollës “Kosova” tregon se ku puna e saj qëndron në zhvillimin emocional të fëmijëve dhe përmirësimin e arritjeve të tyre shkollore. “Kjo është një orë e zakonshme mësimi ku unë asistoj tek fëmijët me aftësi të kufizuar. Sigurisht, kjo orë zhvillohet duke ndjekur një program të caktuar për çdo fëmijë me aftësi të kufizuar. Ky është një program ku janë të përcaktuar objektivat për secilin prej tyre. Në një orë të zakonshme me këta fëmijë zhvillojmë ose fokusi im është tek zhvillimi matematikor dhe gjuhësor për këta fëmijë por sigurisht ajo që është shumë e rëndësishme është edhe zhvillimi i tyre emocional, pra përfshirja e tyre me shokët në aktivitetet e ndryshme sportive dhe figurative. Për të përmirësuar arritjet tek këta fëmijë, zhvillojmë detyra të ndryshme të caktuara, për shembull duke krijuar fjali në gjuhë apo matematikë me lojëra të ndryshme matematikore, për të bërë veprime shumë të thjeshta matematikore”, -thotë ajo.
Sipas saj, mësuesi në klasë e ka të pamundur të menaxhojë 100% të gjithë nxënësit, andaj edhe asistohen fëmijët që kanë vështirësi. “Mësuesi ndihmës ka një rol të rëndësishëm sepse ndihmon mësuesin në klasë. Duke qenë se është e pamundur që të merren me 100% të kohës më një fëmijë më aftësi të kufizuar, mësuesja e ka të pamundur, për këtë shërben edhe mësuesi ndihmës. Roli i mësuesit ndihmës është të ndihmojë edhe mësuesin që ka në klasë por edhe fëmijën që ka nevojë, që të përfshihen në aktivitetet e klasës.
Mendoj se është një marrëdhënie solide, një marrëdhënie e mirë. Marrëdhënia që kam krijuar me këta fëmijë është shumë e mirë, një marrëdhënie e ngrohtë, kjo duket nga reagimet e tyre sepse fëmijët më presin me kënaqësi në klasë dhe i bëjnë detyrat e përcaktuara me dëshirë”, -u shpreh mësuesja ndihmëse në shkollën “Kosova”. Psikologia, Etel Turtulli thotë se “fëmijët me aftësi të kufizuar janë në pjesën më të madhe të kohës të mbikëqyrur apo nën kujdesin e mësuesve ndihmës.
“Vështirësitë që ata shfaqin janë të qënurit në një grup, të komunikuarit ashtu siç duhet, krijimi ose nisja e një bisede në mënyrë spontane dhe shpeshherë gjera të vogla të parëndësishme ose kërkesat e vogla që ata kanë. Është e rëndësishme që ata që të shprehin nevojat e tyre. Është e vështirë që për shkak të ngarkesës t’i përgjigjen çdo nevoje dhe padashje izolohen. Braktisja e fshehtë është një nga këto fenomene dhe fëmijët fillojnë të izolohen e të mos jenë më pjesë e grupit. Ajo çfarë kam bërë unë është siç thashë kam komunikuar, i kam vendosur të gjithë në tavolinë për të biseduar dhe për të treguar rëndësinë e plotësimit të këtyre nevojave dhe për të bërë atë fëmijë që të ndjehet pjesë. Duke u ndjerë fëmija mirë, duke u ndjerë pjesë edhe aftësitë e tij zhvillohen dhe ai u jep më shumë dhe ndërpresim këtë fenomen”, u shpreh ajo.
Që prej vitit 2014 ka dalë udhëzimi, “Për kriteret e mësuesit ndihmës për nxënësit me aftësi të kufizuara në institucionet publike të arsimit parauniversitar”, pra që në shkolla të emërohen mësues ndihmës bazuar në numrin e fëmijëve me aftësi të kufizuara që ka një shkollë e caktuar. /ATA/