Meta: 25 prilli është ditë historike për qytetarët për të përmbysur arbitraritetin, mafien dhe për të kthyer demokracinë

Presidenti Ilir Meta u ka bërë thirrje qytetarëve që më 25 prill të votojnë për të ardhmen e Shqipërisë në Europë dhe për t’i dhënë fund arbitraritetit.

“Në 25 prill, Shqipëria zgjedh mes dy alternativave, ose do të kthehet në shinat europiane, ose në një projekt Lindor, që e kemi provuar për 50 vite. 25 prilli është dita e demokracisë. Është dita e ndarjes nga shpopullimi. Është dita kur populli rimerr sovranitetin e tij. Është mision patriotik pjesëmarrja në zgjedhje. Fuqia e popullit është vetëm vota!”,– tha kreu i shtetit në një intervistë për gazetarin Çim Peka në “Syri TV”.

Meta bëri një mesazh të fortë për politikanët, oligarkët apo kriminelët që do të prekin votën e shqiptarëve. “Mos prisni nga ndërkombëtarët të zgjidhin hallet tona. Një nga ata që ka problem me drejtësinë amerikane është kryeministri aktual që shkoi në SHBA i maskuar si grua për të bërë një foto me Presidentin amerikan. Vota e shqiptarëve do mbrohet me çdo çmim! Mjerë çdo bandit dhe oligark, që angazhohet për ta prekur atë!”, – tha kreu i shtetit

Gjatë intervistës Presidenti Ilir Meta ka folur dhe për deklaratat e Fatos Nanos kundër tij. Meta u shpreh “nuk harxhoj kohë më një njeri si Nano që dha shembullin më të keq në drejtimin e shtetit”.

Presidenti ka kujtuar dhe kohën kur Nano u arratis nga detyra si kryeministër. “Nano kur kollitej Doktori, largohej nga Tirana. Unë kurrë nuk kam dhënë shembullin e zyrtarit të lartë që braktis institucionet kur sulmohen me armë dhe as nuk kam shkuar në kazino e buzuqe kur ndodhnin fatkeqësi kombëtare. Si karakter ai mbetet një ordiner, por së çfarë e shtyu t’i bënte shërbimin e radhës kryeministrit këtë unë nuk mund ta di“,- tha kreu i shtetit.

Presidenti Meta ka ironizuar ish-kryeministrin dhe për kohën kur i lutej që Edi Rama ta bënte kryetar shteti.  “Nano bëri qoken e radhës. I jam mirënjohës që e kam patur shofer dhe nuk më ka aksidentuar”,- tha kreu i shtetit.

SHKARKO APP