Meta: Besueshmërinë e qytetarëve ndaj vaksinës e garanton transparenca, jo propaganda e qeverisë
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta në emisionin ”Kjo Javë”, tha ndër të tjera se besueshmërinë e qytetarëve ndaj vaksinës e garanton transparenca, jo propaganda e qeverisë. ”Në çdo vend demokratik, ku funksionon shteti i së drejtës, transparenca është elementi i parë, që garanton besueshmërinë dhe seriozitetin e autoriteteve shtetërore në raport me qytetarët. Kjo është e domosdoshme dhe e pashmangshme, pasi çdo sjellje dhe veprim tjetër hyn në sferën e trafikimit apo të kontrabandës”.
Pjesë nga intervista
Pyetje: Zoti President, a duhej bërë më tepër transparencë për mbërritjen e vaksinës? Nuk është thënë vendi prej nga ka ardhur dhe mënyra. Madje vetë Kryeministri Rama në një emision televiziv, u shpreh se janë pjesë e një konfidencialiteti, por nuk duhet zbuluar shumë. Si e shpjegoni këtë?
Presidenti Meta: Në çdo vend demokratik, ku funksionon shteti i së drejtës, transparenca është elementi i parë, që garanton besueshmërinë dhe seriozitetin e autoriteteve shtetërore në raport me qytetarët. Kjo është e domosdoshme dhe e pashmangshme, pasi çdo sjellje dhe veprim tjetër hyn në sferën e trafikimit apo të kontrabandës.
Pyetje: Por gjithsesi kjo e shton skepticizmin te populli për vaksinën, sepse ka jo pak skeptikë për vaksinën. Kjo situatë që është servirur nga ana e qeverisë, apo edhe nga vetë deklaratat e Kryeministrit, a e shton skepticizmin?
Presidenti Meta: Është e rëndësishme të ketë siguri të plotë për vaksinën, për të gjithë elementët, që kanë të bëjnë me pasojat e mundshme mbi shëndetin e qytetarëve. Kjo është detyra e qeverisë dhe e autoriteteve përgjegjëse.
Pyetje: Vetë ju zoti Meta, a keni kërkuar të vaksinoheni në këto doza të para të mbërritura apo ju është ofruar për t’u vaksinuar?
Presidenti Meta: Kjo nuk është një çështje prioritare. Prioritet është vaksinimi i mjekëve, i infermierëve, i sanitarëve, i të gjithë personelit mbështetës, që është në vijën e parë të luftës me Covid-19.
Pyetje: Sa i takon situatës në spitale që mbetet shqetësues dhe që ka problematika deri tani gjatë gjithë pandemisë. Ku është gabuar dhe ku është punuar mirë sipas jush, qoftë nga ana e qeverisë, qoftë nga ana e sistemit shëndetësor?
Presidenti Meta: Në radhë të parë duhet të kishte një transparencë më të madhe, që në fillim. Unë u përpoqa ta inkurajoja përmes nxitjes së bashkëpunimit, duke përfshirë edhe opozitën në një dialog dhe bashkëpunim me qeverinë. Por autoriteti kryesor publik për menaxhimin e kësaj situate u shfaq Kryeministri, gjë që në vlerësimin tim është e gabuar, për arsye se menaxhimi duhet të ishte i bazuar në profesionalizëm dhe në pavarësi të ekspertëve më të mirë të kësaj fushe. Natyrisht kjo solli politizim më shumë se ç’duhej dhe shumë mangësi e inkoherencë në të gjithë këtë proces.
Mendoj se në periudhën kur u ndje një lloj lehtësimi për shkak të rritjes së temperaturave, Qeveria humbi ndjeshmërinë apo përgjegjshmërinë për të marrë masat e duhura për periudhën që do të vinte, pra për valën e dytë. Nuk u realizuan shumë masa të domosdoshme, që do të kishin përforcuar kapacitetet në spitalet tona dhe do të kishin bërë të mundur një menaxhim shumë efikas të fluksit të lartë, që u vu re në nëntor dhe në dhjetor. Padyshim që edhe për çështjen e vaksinimit mund të ishte bërë me kohë shumë më tepër.
Megjithatë çdo masë pozitive që do të merret është e rëndësishme. Për më tepër kur mbështetja për përballimin e pandemisë nuk ka qenë e duhura, krahasuar me vendet e tjera fqinje, si sa i takon sektorit të shëndetësisë, rritjes së investimeve për të, ashtu edhe mbështetjes për sipërmarrjen e vogël apo të mesme, pra në përgjithësi për biznesin, duke pasur në konsideratë se të paktën, zyrtarisht sipas Bankës së Shqipërisë, mbi 50 mijë qytetarë kanë humbur vendet e punës gjatë kësaj situate. Pra mund të ishte bërë më shumë. Shpresojmë të bëhet më shumë në ditët dhe në javët që vijnë!
Pyetje: Po, kur kryeministri shprehet se isha lypësi më shembullor për garantimin e marrjes së vaksinës dhe e dozave të para. A ka pikë pozitive këtu për kreun e qeverisë?
Presidenti Meta: Nuk ka asnjë arsye për të qenë lypës, kur mund të jesh partner serioz dhe i besueshëm.