Meta-Crnadak: Nxitje bashkëpunimit në turizëm

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, gjatë një takimi të enjten me ministrin e Jashtëm të Bosnje Hercegovinës, Igor Crnadak, vlerësoi marrëdhëniet e mira mes dy vendeve, ndërsa shprehu nevojën për intensifikimin e shkëmbimeve ekonomike.

Në këtë kuadër, Meta theksoi nevojën e një pranie më të madhe të kompanive boshnjake në Shqipëri, veçanërisht në fushën e turizmit, ku Shqipëria ofron një potencial të madh.

Kryediplomati boshnjak pasi vlerësoi mbështetjen e Shqipërisë ndaj procesit të integrimit euro­atlantik të Bosnjë Hercegovinës, vlerësoi veçanërisht nënshkrimin e marrëveshjes për lëvizjen e qytetarëve me karta identiteti, gjë që do të nxisë turizmin dhe do të shtojë fluksin e vizitave të qytetarëve midis dy vendeve.

Në përfundim të takimit u shpreh vlerësimi i përbashkët për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhëniet e mira mes vendeve të rajonit, si shtylla që garantojnë prosperitet, paqe, siguri dhe stabilitet në rajon.

SHKARKO APP