Meta kërkon votën e të rinjve të Shkodrës për Bazhdarin

“Shkodra duhet të ishte në një tjetër stad, pasi të gjithë kemi detyrime ndaj këtij qyteti”. Me këto fjalë, kryeparlamentari Ilir Meta drejtoi gishtin indirekt tek kundërshtari politik që në 24 vite, sipas tij e ka drejtuar qytetin duke mos i dhënë zhvillimin e merituar. Gjatë një takimi me rininë shkodrane Meta i ftoi të votojnë Keti Bazhdarin.

“Nuk besoj se jeni të lumtur që Vllaznia nuk lufton për titullin kampion, dhe jo vetëm në futboll por në gjithato sporte sepse Shkodra ka shkëlqyer në të gjitha llojet e sporteve, po kështu edhe jeta kulturore e këtij qyteti me tradita të fuqishme nuk është ajo që dëshironi dhe aspironi, përveç mundësive për një punë më të sigurtë dhe dinjitoze”, tha ai.

Dhe i bindur se vota e 21 qershorit do të çeli një prespektivë të re, Meta i kujtoi kundërshtarit, që bashkia nuk është për llogore politike.

“Nuk ka arsye që të përdoret për të akuzuar qeverinë sepse këto janë zgjedhje lokale, për problemet e përditshme të qytetarit në lagje, në fshat , kudo që jeton. Bashkia ka përgjegjësi më tepër tani”, shtoi Meta.

Ndërsa kandidatja Bazhdari deklaroi se në derën e bashkisë do të hyjë për t’i dhënë zgjidhje problemeve të këtij qyteti dhe jo për interesa të ngushta.

“Hymë për t’i dhënë zgjidhje Shkodrës, zhvillimit ekonomik të Shkodrës, dhe kemi linjat të përcaktuara mirë”, tha ajo.

 

SHKARKO APP