Meta krah Berishës në Gramsh: Rilindja ka dështuar, i hedh kandidatët me parashutë

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka marrë pjesë në prezantimin e kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” në bashkinë Gramsh. Sipas tij qeverisë nuk i intereson për Gramshin, pasi kandidatët i hedhin me parashutë, ndërsa vijoi duke theksuar edhe se Rilindja nuk ka kandidatë përballë atyre të koalicionit opozitar.

”Ne do kthejmë kontrollin tuaj mbi bashkitë dhe këshillat. Do garantojmë transparencë absolute mbi punët në Gramsh. Kandidatët tanë nuk kanë ardhur të imponuar, por i keni zgjedhur vetë. Kjo është arsyeja pse sot komuniteti i Gramshit është kaq i bashkuar për të mbështetur Hasim Çekrezin si kryebashkiak të ardhshëm. Ne besojmë se populli i Gramshit, që dallohet për patriotizëm dhe punëtor.

Një popull që jep gjithmonë duhet edhe të marrë. Nuk mundet më Gramshi të votojë për të vazhduar arroganca e atyre që e kanë plaçkitur qytetin. Ata e kanë projekt shpopullimin e Shqipërisë. Si prisni ju që qeveria e Rilindjes të mendojë për Gramshin, kur edhe Shkodrës i ka hequr gjykatat, agjencinë e ujërave, gjithçka.

Imagjinoni t’u bjerë ndër mend për Gramshin dhe kandidatët i hedhin me parashutë. Bojkoti i zgjedhjeve i shërben rilindjes, ajo çel rrugët vetëm për ta. Rilindja ka dështuar totalisht, nuk ka kandidatë përballë kandidatëve tanë. Nuk pranon kukulla e rilindjes në Elbasan ballafaqim, as mashtruesi në Tiranë ballafaqim. Bilanci i tyre është katastrofë”, u shpreh ai.

SHKARKO APP