Meta: Liritë tona sot kërcënohen nga tendencat autokratike të pushtetit

Presidenti Ilir Meta me anë të një statusi në “Facebook” ka përkujtuar 45-vjetorin e nënshkrimit të Aktit Final të Helsinkit.

Meta shprehet se edhe sot e kësaj dite, liritë e të drejtat tona kërcënohen nga tendencat autokratike të pushtetit.

Kreu i Shtetit thekson se duhet bërë përpara në mbrojtje të demokracisë, sundimit të ligjit dhe të zgjedhjeve të lira e konkurruese në vend.

Swiss Digital Desktop Reklama

Postimi i presidentit Ilir Meta:

Swiss Digital Mobile Reklama

Dita e sotme shënon 45-vjetorin e nënshkrimit të Aktit Final të Helsinkit. Duke sanksionuar parimin e respektimit të lirive themelore dhe të drejtave të njeriut në themel të marrëdhënieve ndërshtetërore, Dekalogu i Helsinkit ndihmoi në fundin e Luftës së Ftohtë dhe çlirimin e Europës Lindore nga totalitarizmi komunist.

Parimet e Aktit Final janë po aq të rëndësishme edhe sot, veçanërisht në kushtet kur parimet demokratike dhe liritë themelore në shumë vende të hapësirës së OSBE-së, kërcënohen nga qeverisje që shfaqin tendenca autoritare që nuk i shërbejnë interesave të qytetarëve.

Ky jubile i rëndësishëm, duhet të na bëjë më të ndërgjegjshëm se, liritë dhe të drejtat e njeriut nuk mund të merren si të mirëqëna e të paprekshme. Për mbrojtjen të tyre duhen përpjekje e vigjilencë e përhershme.

Nëse asokohe Shqipëria komuniste ishte i vetmi vend europian që e denoncoi procesin e Helsinkit, ky përvjetor e gjen vendin tonë në krye të punëve të OSBE-së.

Me marrjen e Kryesisë së Radhës së OSBE-së, Shqipëria ka detyrimin dhe përgjegjësinë që të udhëheqë me shembullin e saj në respektimin e parimeve të Helsinkit, veçanërisht në fushën e forcimit të demokracisë, sundimit të ligjit dhe zgjedhjeve të lira dhe konkurruese në vend.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?