Meta: Mbështesim stabilitetin e Maqedonisë
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta iu përgjigj interesimit të mediave për zhvillimet e fundit në Maqedoni dhe takimin në fundjavë në Pogradec me drejtues të partive shqiptare atje.
Meta tha se, Shqipëria mbetet një nga vendet më të përkushtuara e më të sinqerta për të mbështetur stabilitetin e Maqedonisë dhe gjithë procesin e saj të integrimit euro-atlantik.
“Shqiptarët në Maqedoni kanë bërë gjithnjë përpjekjet e tyre në këtë drejtim dhe mesazhi ynë për të gjitha forcat politike shqiptare në Pogradec është që përmes një procesi të vazhdueshëm bashkëpunimi dhe konsultimi midis tyre të potencojnë më tej rolin e tyre si faktor stabilizues, demokratizues dhe europianizues të Maqedonisë, në mënyrë që përmes këtij procesi politik shqiptarët atje të kenë të drejta krejtësisht të barabarta me gjithë qytetarët e tjerë maqedonas. Kjo do e bënte Maqedoninë një vend më evropian dhe demokratik, por dhe një vend shumë më të sigurt dhe më të stabilizuar”, u shpreh kryetari i Kuvendit.
Ne inkurajojmë të gjitha forcat politike shqiptare pavarësisht nga dallimet e ngushta partiake apo politike që ato kanë që të vijojnë bashkëpunimin e tyre, shtoi ai.
I pyetur për vizitën në Tiranë të Presidentit të Turqisë, Erdogan dhe deklaratave të tij që ngjallën reagime në opinioni publik, sidomos atyre për Fondacionin Gylen dhe mbylljen e disa shkollave turke në Shqipëri, Meta u përgjigj se raportet midis Shqipërisë dhe Turqisë janë historike dhe janë me shumë të ardhme.
Në këtë drejtim, vijoi ai, duhen ndarë ato që janë prioritete të përbashkëta të bashkëpunimit, të cilat ne i mbështesim dhe i inkurajojmë edhe në vijim të traditës së shkëlqyer të marrëdhënieve mes dy vendeve me qëndrime të caktuara, të cilat në fakt nuk kanë një lidhje të drejtpërdrejtë me marrëdhëniet mjaft solide midis dy vendeve.
Ndërsa për çështjen në fjalë besoj se përgjigja e Ministres së Arsimit është përgjigja më adekuate, tha Meta.
Kryetari i Kuvendit përshëndeti gjithashtu dhe zhvillimin mjaft të suksesshëm të Këshillit të Stabilizim-Asociimit midis Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, i cili tha ai, dëshmoi progresin e arritur nga vendi ynë në drejtim të mjaft reformave kyçe për procesin e integrimit evropian.
KOHA JONË SONDAZH

