Meta mbledh Kryesinë e Partisë së Lirisë: Rama premtoi për herë të 5 apo 6 urën që do bëhet në Bunë
Gjatë mbledhjes së Kryesisë së Partisë së Lirisë, Ilir Meta tha se kryeministri Edi Rama është një mashtrues, i cili do të marrë dënimin e merituar shumë shpejt. Meta solli në vëmendjen një nga premtimet për ndërtimin e urës së Bunës, ku tha se një premtim i tillë është bërë disa herë, por zbatimi nuk ka ndodhur.
”Besoj se edhe sot e patë sesi u premtua për herë të pestë apo të gjashtë ajo ura që do të bëhet mbi Bunë. Sa herë është takuar me ndonjë autoritet nga Mali i Zi këtë premtim ka bërë por ajo që ishte sjellja më e pacipë dhe tallje, ishte ajo që duhet të paguante më shumë Mali i Zi për Urën mbi Bunë, meqë nëse i paska Mali i Zi rrogat më të larta. Sepse ky nuk ka lekë për të bërë ura, ky ka lekë vetëm dhe taksa dhe borxhe që merr në emër të shqiptarëve vetëm për të vjedhur për veten e tij dhe bandën e tij. Prandaj dhe kërkon të shkatërrojë Parlamentin dhe llogaridhënien dhe prandaj do ndëshkohet në mënyrën më shembullore. Ju e dini shumë mirë që pasojë e korrupsionit të tij është fakti që Shqipëria dikur kishte pagat mbi mesataren e rajonit, sot është për faqe të zezë”, u shpreh kreu i Partisë së Lirisë.
Nga ana tjetër, kryetari i Partisë së Lirisë ka bërë thirrje që qytetarët të bashkohen në protestën e 3 marsit, së bashku me Sali Berishën. ”Ndaj dhe ju ftoj të gjithë juve dhe të gjithë qytetarët shqiptarë që më 3 mars së bashku me Partinë Demokratike dhe të gjithë qytetarët shqiptarë t’i themi fjalën tonë të fortë, në mbrojtje të lirisë dhe pluralizmit politik dhe të japim mesazhin e qartë të shporrjes së kësaj bande sa më parë në mënyrë që shqiptarët të mos lëngojnë më por edhe t’i japin një herë e përgjithmonë fund këtij tranzicioni tejet të lodhshëm dhe rraskapitës ndaj vendit tonë dhe popullit tonë”.