Meta në Durrës: Edhe Rama e pranoi që kandidati ynë, Igli Cara është më i miri
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta zhvilloi këtë të mërkurë një takim me shtabin elektoral të Durrësit, ku tha i bindur se fitues në zgjedhjet e 14 Majit do të jetë kandidati i koalicionit ”Bashkë Fitojmë”, ish-deputeti i PD-së Igli Cara. Meta tha edhe se Cara ka një vizion dhe strategji të qartë për qytetin e Durrësit.
”Rama e pranoi dhe vetë se kandidati ynë në Durrës është më i mirë por që atij i duhet një pastruese. Durrësi do të zgjedhë Igli Carën pasi ka vizionin e duhur dhe legjitimitetin e jashtëzakonshëm, vjen nga primaret. Do i japë zgjidhje problemeve që Rilindja nuk i dha në 22 vite, pasi kjo e fundit nuk kishte hall si do i zgjidhte problemet e qytetit.
Rilindja nuk ka bërë asgjë për të nxitur e rritur prodhimin bujqësor e agroturizmin. Plani i Igli Carës për këtë fushë është tejet ambicioz. Po kështu Durrësi, si një projekt më vete është risi dhe besoj shumë te realizimi i projektit të zotit Cara. Me Igli Carën kemi një kandidat të gjithë opozitës qytetarë në Durrës dhe korrupsioni absolut do zëvendësohet me transparencën absolute. Nuk do ketë më taksa për shërbime që nuk u kthehen qytetarëve, nuk do ketë më pastruese që të firmosë 10 milionë nga taksat për të paguar inceneratorin e Tiranës.
Ky është shqetësimi i Ramës, jo qyteti i Durrësit. Ata edhe tërmetin e përdorën për goditjet e tyre dhe jo për të mbrojtur Durrësin. Durrësi në 14 maj do ndëshkojë arrogancën e rilindjes. Kemi një filozofi krejt tjetër, një frymë bashkëpunuese dhe nxitëse për t’i shërbyer qytetarëve. Edi Rama e di që në 14 maj do rrëzohet modeli që solli ai përmes bashkive dhe që më pas e ktheu në shtet ku betoni kriminal vendoset para interesit qytetar dhe kap institucionet”,-tha Meta.