Meta në pranga, REL: Ishte duke udhëtuar

Kryetari i Partisë së Lirisë në Shqipëri, Ilir Meta është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit (SPAK) më 21 tetor, raportojnë mediat në Shqipëri. Meta kishte shërbyer në postin e presidentit të Shqipërisë nga viti 2017 deri më 2022. Meta ka qenë edhe kryeministër, kryetar Kuvendi dhe ministër i Jashtëm.

Policia dhe SPAK-u ende nuk kanë dalë zyrtarisht me ndonjë njoftim për shtyp lidhur me arrestimin e Metës. Meta kishte njoftuar për një konferencë për media për në orën 13:40 dhe ishte duke udhëtuar drejt selisë së partisë së tij kur është arrestuar. Bashkëshortja e Ilir Metës, Monika Kryemadhi, shkroi në rrjetet sociale se nuk është në dijeni se ndaj saj është vendosur masa e sigurisë ”detyrim paraqitje”, siç është raportuar në mediat në Shqipëri e as për masën e sigurisë ”arrest me burg” për Metën.

“Unë ende nuk kam marrë dijeni mbi një vendim gjykate që do të vendoste masa sigurie mbi mua apo babanë e fëmijëve të mi. Sapo të njoftohem për këto vendime të drejtësisë do të përgjigjem me të gjitha hapat ligjore dhe publike. Persekutimi nga drejtësia si armë ndaj kundërshtarit politik, si dhe gjyqi publik që po na bëhet, nuk ndalon opozitën në betejat pa kompromis për të mbrojtur interesin publik”, shkroi Kryemadhi në Facebook.

Zëdhënësi i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, e cilësoi si “akt të papërgjegjshëm” arrestimin e Metës, duke thënë se SPAK-u me këto veprime po tenton “ta eliminojë opozitën”. “Arsyet e arrestimit të tij lidhen me qëndrimin që ka mbajtur në mbrojtje të çështjes kombëtare”, tha Blushi. Ndërkaq, ish-kryeministri demokrat, Sali Berisha, ishte në një konferencë për mediat në momentin që ndodhi arrestimi i Metës. Berisha e cilësoi si “persekutim” arrestimin e Metës.

“Nuk kanë publikuar asnjë fakt për Ilir Metën. Persekutimi i Metës është vetëm politik. U zbatua urdhri politik i [kryeministrit të Shqipërisë] Edi Ramës. Është radha jonë”, u shpreh Berisha, pasi u pyet nga gazetarët për këtë zhvillim. Ish-presidenti Ilir Meta ishte paraqitur në SPAK në qershor të këtij viti. Atëbotë, ai bëri akuza të rënda në drejtim të kreut të këtij institucioni, Altin Dumani. Pasi u mor në pyetje, Meta deklaroi për mediat se u pyet për 3 orë “për gjëra të kota”, që sipas tij, nuk kishin lidhje me të, por kishin të bënin me veprimet e të tjerëve. Ai po ashtu deklaroi se u pyet për pasurinë dhe theksoi se me këtë çështje merrej bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, me të cilën janë në proces divorci. Në SPAK ka qenë dhe Monika Kryemadhi, e cila ndryshe nga Meta nuk sulmoi prokurorët e SPAK–ut, por tha se ata po bëjnë punën e tyre. /REL/

SHKARKO APP