Meta për mbylljen e biznesit të deputetit Shehaj: Sulm politik! Rama kërkon ta intimidojë
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar ashpër kundër ndërhyrjes së policisë në biznesin e deputetit të PD-së, Agron Shehajt. Në facebook Meta ngre akuzat se bllokimi i biznesit të deputetit është sulm politik dhe terror policesk i kryeministrit Edi Rama.
Postimi i plotë
Sulmet politike dhe terrori policesk i Edi Ramës kundër bizneseve të ndershme, të identifikuara nga patronazhistët si mbështetëse të opozitës janë një tjetër dëshmi e arbitraritetit dhe paligjshmërisë të bandës së “Rilindjes”.
Ndërkohë që shpall ministrat e tij si “investitorë strategjikë” dhe u fal gjobat e taksat e shqiptarëve oligarkëve dhe klientëve të tij, për herë të katërt, pa asnjë urdhër dhe pa vendim gjykate, falangat e Policisë së “Rilindjes” terrorizojnë bizneset e deputetit të PD, Agron Shehaj me qëllim për të intimiduar dhe shantazhuar një zë kurajoz të opozitës.
Duke dënuar me forcë këtë sjellje arbitrare të përsëritur, i bëjmë thirrje Edi Ramës të heqë dorë urgjentisht nga sulmet e paligjshme ndaj bizneseve të ndershme.
Të vendosur në betejën për mbrojtjen e interesit qytetar, të bizneseve të ndershme dhe shporrjen me çdo çmim të këtij regjimi mafioz!