Meta rrëzon draftin për “Policinë”: Krijon shteg për gjurmimin dhe survejimin e qytetarëve dhe kundërshtarëve politikë në funksion të zgjedhjeve
Presidenti i Republikës Ilir Meta ka vendosur t’i rikthejë Kuvendit për rishikim projektligjin e tij për Policinë e Shtetit.
Në Dekretin e tij, Presidenti vëren se sipas raporteve të komisioneve përkatëse ky projektligj ka si qëllim kryesor të krijojë mundësinë ligjore që strukturat e Policisë së Shtetit të përdorin me efektivitet masa të veçanta, duke bërë ndryshime në nenet 84 dhe 131, të ligjit nr.108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, në luftën kundër krimit të organizuar, krimeve të rënda si dhe krimeve në fushën financiare, ndërkohë që një qasje e tillë e posaçme për këto vepra penale, nuk është aspak e përcaktuar në tekstin e ligjit.
Ndër argumentet ligjore të kthimit të dekretit, Kreu i Shtetit rendit edhe faktin se ndryshimet e propozuara nga qeveria cenojnë drejtpërdrejt punën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe krijojnë premisa për presion të fshehtë nga ana e qeverisë ndaj drejtësisë.
“Neni 2 i ligjit cenon nenin 7 dhe 148 të Kushtetutës, ku parashikohen parimet e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, si dhe të pavarësisë së prokurorëve. Angazhimi i Prokurorit të Përgjithshëm dhe Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme (apo përfaqësueseve të tyre) në Komitetin Kombëtar të Politikave për për Parandalimin dhe Luftën kundër Krimit të Organizuar, komitet i cili kryesohet nga Ministria e Brendshme, krijon premisa për ndikim të papërshtatshëm nga ekzekutivi në ushtrimin e profesionit të pavarur të tyre apo edhe premisa për presion të fshehtë. Kjo është tepër e dëmshme po të kemi në konsideratë që Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka në kompetencë lëndorë hetimin dhe ndjekjen penale të zyrtarëve të nivelit të lartë, përfshi këtu edhe përfaqësuesit e ekzekutivit në këtë Komitet Koordinues. Komiteti Kombëtar i Politikave për Parandalimin dhe Luftën Kundër Krimit të Organizuar, në varësi të ekzekutivit, ka detyrimin të hartojë sipas këtij ligji, strategjitë dhe planin e masave për prandalimin e krimit të organizuar. Pra, ky Komitet, synohet që direkt të ndikojë dhe orientojë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, për luftimin e së cilës, Prokuroria e Posaçme (SPAK), duhet të jetë e pavarur. Për më tepër, më pas duhet edhe të raportojë, periodikisht pranë Këshillit të Ministrave. Një ndërhyrje e tillë, është ndikim thelbësor në pavarësinë e këtij organi për të ushtruar kompetencat e tij kushtetuese dhe ligjore.
Lexoni dhe…
Dekreti/Arsyet ligjore për kthimin e ligjit “Për Policinë e Shtetit”