Meta: Rritja e pagave me urdhër, një boomerang social. Shqipëria vendi i pabarazive më të larta
Këtë të hënë, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta e cilësoi projektin e qeverisë për rritjen e pagave, si një politikë që shton më tej pabarazinë në vend. Rritja e pagave duhet të vijë në mënyre të qëndrueshme me rritjen e ekonomisë, pohoi Meta, sipas të cilit në të kundërt vendi rrezikon një boomerang social.
“Përsa kohë që pagat nuk do të nxiten nga ekonomia, çdo rritje me “urdhër” vetëm do të rrezikojë të kthehet në një boomerang social! Kjo politikë e rritjes së pagave rrit më tej pabarazinë. Teksa punonjësit në shërbimet themelore të vendit, mësuesit, mjekët dhe infermierët dhe trupa policore në terren morën vetëm 7% rritje page, funksionet e larta të qeverisë dhe të shtetit përfituan rritje page 50-98%.
Partia e Lirisë në propozimin e saj në muajin shtator, pra prej gati një viti çoi në Kuvend ligjin për një rritje të qëndrueshme të pagave çdo vit në funksion të Indeksimit sipas Inflacionit dhe përfitimit të çdo qytetari nga rritja ekonomike e vendit.
Reformën e pagave, Partia e Lirisë e shikon si një piramidë të studiuar të pagave në nivelet e ndryshme të administratës, e kombinuar me bonuse shpërblimi për situata, siç është rasti i Covid-it, ose për profesione të caktuara që vendi ka nevojë. (mësuesit në zonat e largëta, IT-ja, mjekët, etj.) Mazhoranca jo vetëm që propozimin tonë e bllokuar që prej shtatorit të vitit të fundit por njëkohësisht me këtë rritje selektive të pagave dhe vetëm për qëllime elektorale e ka kthyer Shqipërinë në vendin e pabarazive më të larta sociale në rajonin tonë”,-tha Meta.