Meta “shuplakë” Kuvendit: Shqetësuese cilësia e dobët e ligjeve që miratojnë deputetët

Presidenti Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin “Për tregjet e kapitalit”. Në argumentet juridike që ka dërguar në Parlament, Presidenti Meta rendit disa shkelje kushtetuese dhe ligjore të këtij projekti.

Duke kritikuar nenet e ligjit, Presidenti shpreh shqetësimin dhe për profesionalizimin e munguar të deputetëve gjatë shqyrtimit të këtij projekti ligjor. Në mënyrë të qartë, Presidenit thotë se vë re një cilësi të dobët të procesit të bërjes së ligjeve nga ana e deputetëve aktualë në Parlament.

“Si President i Republikës, jam shumë i shqetësuar nga mungesa e vëmendjes së deputetëve në shqyrtimin e projektligjeve. Duket qartë se debati parlamentar në drejtim të përmirësimit të propozimeve ligjore ka rënë ndjeshëm. Në mënyrë të përsëritur kam evidentuar një cilësi të dobët të procesit ligjbërës prej deputetëve, sidomos referuar harmonizimit të projektligjeve që shqyrtohen dhe miratohen me normat ekzistuese në fuqi në Republikën e Shqipërisë, e veçanërisht me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit”,- deklaron Presidenti Ilir Meta.

Kreu i shtetit shprehet se ligji bie ndesh me parimet kushtetuese dhe nuk garanton barazi për aktivitetin e operatorëve. “Miratimi dhe hyrja në fuqi e ligjit në këto momente dhe me këto parashikime që paraqesin problematika si më sipër, bëjnë që nga njëra anë vendi të përballet me riskun që bursa të jetë spekulative dhe jo funksionale, ndërsa nga ana tjetër, dhe aksesi i operatorëve në këtë treg të jetë i cenueshëm, duke mos ofruar garancitë e nevojshme ligjore”,- thuhet në argumentet kreu i shtetit.

Presidentit shton se për shkak të problematikave lidhur me harmonizimin e këtij ligji me aktet e tjera ligjore në fuqi, ky ligj duhet të kalojë për mendim edhe pranë Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.

Veç Kushtetutës, ligji prek dhe  dispozitat e Kodeve të Procedurës Civile dhe Penale, Kodit Penal. Sipas kreut të shtetit, ky projekt sjellë implikime dhe në ligjet për falimentimin, likuidimin, mbylljen e subjekteve, shpëtimin dhe rehabilitimin e shoqërive komisionere.

Argumentet e plota të Presidentit të Republikës për kthimin e ligjit “Për tregjet e kapitalit”

SHKARKO APP