Meta: SPAK po intimidon politikisht Erisa Xhixhon, më akuzojnë se e kam bërë deputete për të ‘shpërblyer’ të atin (Vijimi i intervistës)
Në vijim të intervistës së tij për Syri.net, Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta thotë se SPAK po intimidon politikisht deputeten Erisa Xhixho
Pjesa e dytë e Intervistes
Po seanca paraprake, si po ecën? Ç’prisni prej saj?
Fatmirësisht, bllokimi i saj për gati 3 muaj mori fund dhe po ecën normalisht dhe ne jemi të interesuar që sa më parë të fillojë gjykimi në themel, në mënyrë që të bëjmë publike të gjitha gënjeshtrat dhe manipulimet e shumta që ndodhen në fashikujt që rrëzojnë akuzat e prokurorëve.
Fatmirësisht, pas 8 vitesh hetimi, ata kuptuan se METE nuk është Meta(j), por akronimi i Ministrisë së Ekonomisë, Tregëtisë dhe Energjitikës.
Publiku do kuptojë shumë më tepër në çdo seancë dhe akoma më shumë në fund të farsës.
Mediat kanë raportuar për përplasje të forta tuajat me prokurorët. Përse kanë ndodhur?
Ne vetëm kemi ndërhyrë në ato raste kur prokurori ka gënjyer hapur gjykatën, sepse duam jo vetëm të ndihmojmë gjykatën të kuptojë të vërtetën, por duam edhe që çdo gënjeshtër të regjistrohet qartë në audio për të ardhmen.
Por të gjitha ndërhyrjet kanë qenë brenda etikës së tolerueshme, sepse në të kundërt gjykatësja do kishte ndërprerë procesin e do kishte marrë masa ndaj meje apo avokatëve të mi.
A mund të na thoni disa gënjeshtra?
Po të numëroja gënjeshtrat e thëna nga prokurorët, do të bëja një roman të tërë, por po përmend shkurtimisht vetëm dy të thjeshta për t’u kuptuar.
Një gënjeshtër e prokurorit para gjykatës ishte se unë kisha firmosur kontratën me GSIS, e ne u detyruam të nxirrnim kontratën përpara syve dhe një kopje t’ja çonim gjykatës.
Një gënjeshtër tjetër ishte se unë gjoja kisha bërë shpenzime luksi.
U detyrova ta ndërprisja prokurorin dhe t’i kërkoja të tregonte vetëm një rast që unë, Ilir Metaj, të kish bërë një shpenzim luksi brenda apo jashtë vendit sipas hetimit 35-vjeçar të bërë prej tyre.
Nuk pati asnjë përgjigje për këtë reagim dhe ishte normale.
Shpenzimi im më i shtrenjtë kanë qenë kostumet te Altin Mici para shumë vitesh dhe atëherë ato ishin deri në 400 euro.
Por gënjeshtra më revoltuese ishte kur prokurori, vetëm për qëllime politike, keqpërdori emrin e Znj. Erisa Xhixho, sikur kjo ishte shpërblyer si deputete në listë të sigurt për gjoja veprime që babai i saj kishte bërë në vitet 2013-2016, në favor të të dyshuarve në këtë proces.
Kjo gënjeshtër ishte vërtet shumë revoltuese, sepse Znj. Xhixho, për herë të parë është bërë deputete në 2021-shin.
Nëse ky pretendim do ishte i vërtetë, ajo do ishte “shpërblyer” që në vitin 2017.
Po kështu, në 2021-shin, nuk kishte lista të sigurta si në 2025-ën.
Por ajo që dua të nënvizoj më shumë në këtë rast që tregon një poshtërsi politike, ka të bëjë me faktin se në fletërrufenë e parë që u përdor për të më rrëmbyer mua, Znj. Xhixho nuk përmendej fare edhe pse atëherë ishte po deputete si sot.
Por pasi ra akuza e 1 milion dollarëve e shumë përralla të tjera si kjo, u detyruan të kalojnë në marrëzira të tjera.
U detyrova të sqaroj gjykatësen se keqpërdorimi i qëllimshëm i një zonje që ka familjen e saj, vetëm për propogandë politike është shumë i turpshëm.
Po kështu, u detyrova të sqaroj gjykatësen, por edhe prokurorët se unë e kam njohur zotin Xhixho që në vitet ‘97-‘98, kur ai ishte drejtues i rëndësishëm në fushën e telekomunikacioneve në qeveritë socialiste dhe vajza e tij ishte 11-vjeçe (pra në 8-vjeçare).
Po kështu, theksova kontributet madhore të Z. Xhixho për privatizimet shumë të suksesshme në fushën e telekomunikacioneve, e sidomos në bllokimin e aferës së “New World Telecom” që do i humbte shtetit shqiptar, në atë kohë, gati 200 milion euro.
Përfshirja e tij në këtë proces është vetëm politike dhe me qëllim intimidimin politik të vajzës së tij për shkak të pozitave politike të saj.
U evidentua shumë qartë në seancën e fundit dhe në fakt ky është i vetmi qëllim i kësaj farse gjyqësore.
Standardet e rrëmbimit janë edhe standardet e hetimit, por edhe të paraburgimit, siç i ka evidentuar edhe Avokati i Popullit.
KOHA JONË SONDAZH

