Meta, takim lamtumire me ambasadorin kuvajtian

 

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta priti të enjten në një takim lamtumire, Ambasadorin e Shtetit të Kuvajtit në Shqipëri, Najeeb Abdulrahman Al-Bader, të cilit i shprehu mirënjohjen për përkushtimin e tij personal dhe kontributin e veçantë në shërbim të forcimit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kuvajtit.

Sipas njoftimit për shtyp nga Kuvendi, kryeparlamentari Meta theksoi se falë punës së ambasadorit Al-Bader, bashkëpunimi mes dy vendeve dhe veçanërisht mes dy parlamenteve ka kaluar në një stad më dinamik dhe në këtë kuadër e falënderoi ambasadorin për mbështetjen e vazhdueshme që Kuvajti dhe autoritetet e tij i kanë ofruar Shqipërisë dhe popullit të saj.

Ambasadori kuvajtian shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin me autoritetet shqiptare gjatë këtyre katër viteve në Tiranë dhe vlerësoi rolin personal të kryetarit të Kuvendit në thellimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Duke i uruar suksese Ambasadorit Al-Bader në angazhimet e tij të ardhshme, Kryetari i Kuvendit, Meta vlerësoi se miqësia e thellë që ekziston mes dy popujve dhe puna e bërë deri tani përbëjnë një bazë solide të rritjes së intensitetit të bashkëpunimit të ngushtë mes Shqipërisë dhe Kuvajtit, duke u fokusuar më tepër tek zgjerimi i shkëmbimeve njerëzore, tregtare dhe ekonomike. 

SHKARKO APP