Meta: Zero shqetësim për çështjen në Kushtetuese, kanë tre vite me hetime dhe procese farsë

“Ka tre vite me hetime, procese farsë për nenin që nuk ekziston më në Kushtetutë, që është për “agjitacion dhe propagandë”. Ajo është një çështje e tyre që mua nuk më preokupon aspak. Sa i takon përgjegjësisë që kam si President i Republikës, kjo është e rëndësishme, pasi kuptohet që gjithçka bëhet në funksion të kapjes totale të shtetit dhe të vetmit institucion që kjo mazhorancë nuk e ka”.

Presidenti Ilir Meta kështu shprehet, teksa foli për procesin në Gjykatën Kushtetuese për shkarkimin e tij, vendim që pritet të jepet të hënën e ardhshëm.

A i druhet Ilir Meta një vendimi për shkarkimin e tij?

”As kam pasur dhe as nuk do të kem ndonjëherë shqetësim se çfarë do të bëjë Gjykata Kushtetuese me këtë çështje. Nuk mendoj se ka ndonjë qytetar në Shqipëri që nuk e ka të qartë, se ky është një proces i bazuar në nenin e agjitacionit e propagandës.

Kushtetuta është shumë e qartë se kur shkarkohet presidenti, vetëm për shkelje të rëndë të Kushtetutës. Shkelje e rëndë e Kushtetutës është ajo kur presidenti cenon integritetin e vendit, të nxjerrë ndonjë sekret shtetëror, i cili është në funksion të armiqve, të cenojë interesin e shqiptarëve.

Për mua është shumë e qartë se thelbi i të gjithë këtij procesi gjatë këtyre 3 viteve është pikërisht kjo: Ilir Meta duhet ndëshkuar sepse ka shkatërruar plane të armiqve të Shqipërisë për të cenuar sovranitetin dhe integritetin e Shqipërisë, sovranitetin dhe integritetin e Kosovës, që ne e kemi detyrë kombëtare që ta mbrojmë. Prandaj nuk më shqetëson qëllim i tyre”, tha Meta për ”A2cnn”.

SHKARKO APP