Mete-Sejko: Shërbimet, turizmi dhe ndërtimi, rol kyç në rritjen ekonomike

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, zhvilloi një takim me guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ku u diskutua mbi zhvillimet e fundit ekonomike, bashkëpunimin mes dy institucioneve, si edhe pritshmëritë për të ardhmen. Gjatë takimit Mete dhe Sejko vlerësuan se ekonomia e vendit ka treguar qëndrueshmëri në përballjen me goditjet e njëpasnjëshme, që nga tërmeti, pandemia dhe kriza e energjisë si pasojë e luftës në Ukrainë.

Pavarësisht situatës jo të favorshme globale, ata vlerësuan se parashikimet e fundit vazhdojnë të mbeten pozitive për rritjen ekonomike në periudhën afatmesme. Sektori i shërbimeve, turizmit dhe ndërtimit kanë luajtur rol kyç në rritjen ekonomike. Ministri Mete theksoi rëndësinë e përshpejtimit të investimeve publike për të stimuluar më tej zhvillimin ekonomik të vendit.

Tregu i punës vazhdon të mbetet i fortë, me papunësinë në nivele më të ulëta historike dhe punësimin e pjesëmarrjen në rritje. Politika fiskale mbetet e kujdesshme për uljen e rreziqeve të financimit dhe prioritizimin e shpenzimeve publike me ndikim për vendin.

Palët diskutuan mbi pritshmëritë në lidhje me inflacionin dhe efektet e tij në ekonomi, si edhe parashikimet e Bankës së Shqipërisë për kthimin e inflacionit në nivelet e synuara nga politika monetare. Çështje të tjera diskutimi në takim ishin ecuria dhe masat për stabilizimin e kursit të këmbimit, nxitja e kreditimit, avancimi me sistemin e pagesave, etj.

Gjithashtu, Mete dhe Sejko biseduan lidhur me thellimin e bashkëpunimit dhe koordinimit institucional edhe në kuadër të Grupit Këshillimor të Stabilitetit Financiar (GKSF), me synim dakordësimin e një plani të përbashkët veprimi. Me këtë rast u vlerësua qëndrueshmëria e sistemit financiar që ka përmirësuar ndjeshëm treguesit cilësorë dhe sasiorë.

SHKARKO APP