Metereologët: Reshje të dendura shiu edhe gjatë ditëve në vijim
Situata e reshjeve duket se do të vijojë në të gjithë vendin edhe në ditët në vijim.
Të paktën sipas parashikimeve të Institutit të Gjeoshkencave dhe Ujit, reshjet do të prekin pjesën më të madhe të territorit shoqëruar me breshër kryesisht në bregdet deri ditën e enjte, çka do të thotë se zonat e përmbytura gjatë së martës mund të jenë sërish në alarm nga ndonjë përkeqësim situate.
“Sërish do të kemi reshje edhe për sot, por të përqendruara kryesisht në mbrëmje dhe gjatë natës. Do të jenë më të pakta se nata e kaluar. Ne presim që rastet e vërshimeve do të jenë më të pakta. Mbetet në fuqi si rrezik. Në zona të kufizuara, priten reshje të dendura me erë dhe me rrufe. Për ditën e enjte dhe të premte nuk priten reshje, por duhet të kemi parasysh se fundjava jep sinjale se do të kemi sërish reshje”, citon Metodi Marku.
Intensiteti i lartë i reshjeve mund të krijojë probleme me rrëshqitjet në bllokimin e akseve të caktuara rrugore në zonat kodrinore-malore.
“Si rrezik shtohen rrëshqitjet e tokës në akset rrugore në pjesët kodrinore dhe malore të vendit tonë”, shton ai.
Reshjet e shiut priten të shoqërohen edhe me ulje temperaturash me 3 gradë.
KOHA JONË SONDAZH

