Mijëra demonstrues kërkojnë lirimin e pengjeve dhe armëpushim

Pak para përvjetorit të parë të masakrës së Hamasit, më 7 tetor, mijëra izraelitë kanë dalë sërish në rrugë për të kërkuar lirimin e pengjeve të mbetur.

Megjithatë, tubimet e së shtunës në mbrëmje nuk ishin aq të mëdha sa janë shpesh, për shkak të kufizimeve për tubime në shumë vende, duke pasur parasysh situatën e sigurisë në vend.

Sipas medias izraelite, rreth 2 000 demonstrues morën pjesë në tubimin në metropolin bregdetar të Tel Avivit – numri maksimal i lejuar aktualisht në Izraelin qendror.

Protestat në mbështetje të një marrëveshjeje që parashikon gjithashtu një armëpushim në luftën e Gazës u mbajtën edhe në shumë vende të tjera në vend.

“Një vit më vonë dhe ata ende nuk janë këtu”, shkruhej në një pankartë në tubimin në Tel Aviv.

Të afërmit e pengjeve akuzojnë kryeministrin Benjamin Netanyahu për sabotim të një marrëveshjeje me Hamasin dhe përkulje ndaj kërkesave të partnerëve të tij ultrafetarë dhe të koalicionit të ekstremit të djathtë.

Ata janë kundër bërjes së lëshimeve ndaj organizatës islamike palestineze dhe Netanyahu varet prej tyre për mbijetesën e tij politike.

Shumë protestues gjithashtu kanë frikë se fati i pengjeve do të harrohet përballë luftimeve në Liban./  a.jor. ATSH

SHKARKO APP