Mijëra izraelitë protestojnë në Tel Aviv për një marrëveshje e cila do të lironte pengjet

Mijëra izraelitë demonstruan në Tel Aviv dhe Jerusalem duke kërkuar një marrëveshje që do të lejonte kthimin në Izrael të rreth 120 pengjeve ende të mbajtura nga Hamasi.

Pjesëmarrësit në demonstrata akuzuan kryeministrin Benjamin Netanyahu për ”sabotim të bisedimeve indirekte me islamistët për të arritur një marrëveshje”.

“Netanyahu po vret pengjet”, shkruhej në një pankartë të madhe të mbajtur nga protestuesit në Tel Aviv.

Sipas raportimeve, mijëra njerëz demonstruan në Jerusalem përpara rezidencës së Netanyahut dhe në resortin bregdetar të Cezaresë përpara një prej vilave të Netanyahut.

Demonstrata më të vogla u zhvilluan në Haifa, Beersheba dhe Herzliya.

Disa qindra të afërm dhe mbështetës kanë marshuar në këmbë nga Tel Avivi në Jerusalem gjatë katër ditëve të fundit.

Lufta e Gazës u shkaktua nga masakra e paprecedentë terroriste e më shumë se 1200 njerëzve në Izrael, të vrarë nga militantët e Hamasit dhe grupet e tjera më 7 tetor. Deri në 250 janë rrëmbyer në Gaza dhe rreth 120 mund të jenë ende gjallë. /os ATSH

SHKARKO APP