Mijëra qytetarë në shesh kundër qeverisë: “Një popull nuk i nënshtrohet një njeriu”

Mijëra qytetarë janë mbledhur në qendër të Tiranës për të marrë pjesë në protestën kundër shembjes së Teatrit Kombëtar. Tubimi organizohet nga Aleanca Kombëtare për Mbrojtjen e Teatrit. Thirrjes së artistëve u janë përgjigjur dhe partitë e opozitës.

Ashtu si dhe ditën e hënë, policia ka bllokuar gjithë rrugët kryesore hyrëse në Tiranë. Qëllimi është ndalimi i qytetarëve nga rrethet për të marrë pjesë në tubim.

Në orën 17:30 një pjesë e pjesëmarrësve në tubim kanë vendosur parullat e para. Protestuesit kanë gozhduar në pemë “Këshillin e Turpit”, referim ky për Këshillin Bashkiak që votoi prishjen e Teatrit me urdhër të Edi Ramës. Ndërkohë në një parrullë të madhe shkruhet: “Një popull nuk i nënshtrohet një njeriu”, duke ju referuar Edi Ramës.

I pari që mbajti fjalim në këtë protestë të dytë të artistëve ishe aktori Neritan Liçaj. Ai u shpreh se njerëzit e kanë kuptuar që kauza e tyre ishte e drejtë. Sa i përket vendimit për prishjen e teatrit, Liçaj tha se qeveria i vuri vetes një turp të madh. Aktori e vuri theksin tek drejtësia. Ai kërkoi që të zbardhej krimi që u bë me shkatërrimin e teatrit.

“Gjithsesi jemi këtu për të thënë, ne jemi shqiptarë dhe thërrasim në kauzë të gjithë shqiptarët me parti, pa parti, të gjithë ata që munden me zërin e tyre të arrijmë të ndryshojmë diçka në këtë vend, që edhe ne të fillojmë të bëhemi një vend normal.  Do doja drejtësi për krimin që u bë. Duhet të marrim të analizojmë atë togë pushkatimi. Kjo drejtësi t’i japë drejtësi atij shpirti të pushkatuar. Jemi në shekullin e 21 dhe ky vend është i ngërthosur. Duhet drejtësi dhe duhet parë përpara se si t’i ndreqim gjërat në këtë vend”,tha Liçaj.

Regjisori Edmond Budina, deklaroi gjatë protestës se kryeministri Edi Rama vijon të bëjë veprime mafioze. Ai thekson se artistët dhe qytetarët janë bërë bashkë e do të firmosin një peticion për të rindërtuar Teatrin sërish aty ku ishte.

“Vëllezër, ne kemi qëndruar për të mbrojtur Teatrin mbi 2 vjet që të mbrojmë godinën e Teatrit. Ne fitojmë me dije, vendosmëri. Rama veprime mafioze, ne paqësore. Peticioni do të shpërndahet në të gjithë Shqipërinë. Ne jemi artistë, kjo është forca jonë më e madhe. Ne duam të sjellim ndryshimin tek njeriu dhe jo tek forca e fizikja. Mund të ketë strategji për të shfryrë protestën, por ne nuk do lejojmë këtë gjë. Ne duam të zbardhet krimi që ka ndodhur në Teatër. Sot të gjitha materialet i kanë shkuar gazetave më të mëdha botërore. Kam marrë vesh se akuzat ndaj nesh mund të jenë edhe për terrorizëm, Rama po vepron si kamikaze në mes të Tiranës. Ne kemi lidhje me mediat e huaja dhe do të bëjmë me dije gjithçka”,- tha Budina.

Aktori i njohur Medi Malkaj deklaroi se “nëse këtë që po jetojmë na e quajnë demokraci, atëherë çfarë mund të themi për diktaturën”.

VIDEO LIVE/ Protesta kundër shembjes së Teatrit Kombëtar 

Protesta e Aleancës për Teatrin 20 maj 2020

SHKARKO APP