
Florian Mima dhe Eno Bozdo, kanë zhvilluar sot në Berat një tur takimesh në disa prej bizneseve të vogla që operojnë në Rajonin Nr.2 të qytetit të Beratit.
Takimet e organizuara nga Mima dhe Bozdo, të shoqëruar edhe nga anëtarë të kryesisë sē degës së PD-së Berat, kanë pasur si qëllim njohjen me shqetësimet dhe problemet me të cilat po përballen sot bizneset në vend.
Në të gjitha takimet e organizuara, bizneset beratase kishin të njëjtin shqetësim,atë të rënies së fuqisë blerëse, jo vetëm si rezultat i krizës ekonomike por edhe si pasojë e largimeve në masë të qytetarëve beratas. Sikur të mos mjaftonin këto, taksidarët, qëndror dhe lokalë, vijojnë të jenë një hall më vete për bizneset,që mesa duket e kanë kuptuar qartë KÇK-në e Ramës.
Sipas biznesmenëve në qytetin muze të Beratit, edhe pse jemi një javë përpara Festave të fundvitit, blerjet janë pothuajse zero. Sipas Mimas dhe Bozdos,kriza e thellë ekonomike, taksat dhe tarifat e larta si dhe mungesa e vëmendjes së kësaj qeverie po zhysin përherë e më shumë në një dëshpërim të thellë qytetarët shqiptarë.
Ata u kanë deklaruar bizneseve se,PD-ja ka edhe zgjidhjen për këtë situatë,që është: taksa e sheshtë prej 9%,vendosja e pullës fiskale që asnjë agjent tatimor, qëndror apo lokal, mos të sillet si xhambaz, bizneset e vogla të tatohen me 0.5% të xhiros, subvencionime dhe lehtësim të konsumit përmes politikave fiskale etj. Sipas tyre, korrupsioni, evazioni dhe krimi financiar nuk kryhen nga biznesi i vogël por nga bizneset e lidhura me qeverinë.
