Mimoza Dervishi: A ndodhet kultura kombëtare sot në kaos?

(Botuar me 29 Tetor 1995 në KOHA JONE)
Që nga auditorët deri te kafenetë, që nga qarqet intelektuale brenda vendit deri tek ato jashtë tij, që nga më të vjetrit deri tek më të rinjtë, vazhdimisht ngre krye shqetësimi i përgjithshëm: A ekziston një kaos në konceptimin e kulturës shqiptare sot, në hartimin dhe sistemimin e saj? Pikërisht ky është qëllimi i rubrikës sonë “Debat”, ku ftojmë të marrin pjesë shkrimtarë dhe artistë të çdo sfere, deputetë dhe politikanë, ish ministra të kulturës dhe ministra aktualë, studiues dhe kritikë, drejtues institucionesh dhe departamentesh, kryeredaktorë dhe gazetarë, regjisorë, poetë, aktorë, muzikantë të vjetër dhe të rinj, që e ndjejnë se kanë për të thënë dhe dhënë mendimet e tyre në ndihmë të një pasurie të çmuar, të papërsëritshme dhe të përbashkët që quhet kulturë kombëtare. “Panteoni i Gjymtuar”i Profesor Doktor Rexhep Qoses. “Panteoni i Rralluar” i kritikut të letërsisë shqipe Aurel Plasarit ka nevojë për të mos mbetur më i tillë. A duhet të mungojë në duart e lexuesve, të studentëve, të nxënësve dhe të gjithë shqiptarëve një antologji nga Naim Frashëri, një përmbledhje e mijëra vargjeve të “Nënë Shqipëri”apo “Lahuta e Malcisë”. A duhet të mungojnë veprat e Petro Markos e të tjerëve shkrimtarë të quajtur të persekutuar. Veprat e mëdha padiskutim që në kohë të ndryshme do të kenë firot e tyre. Si duhet sistemuar kultura shqiptare sot? Sa duhet redaktuar ajo? Kush do marrë përsipër “vënien dorë”mbi të? “Koha Jonë” ju fton dashamirësisht në debat.

Po e nisim këtë rubrikë me mendimet e shkrimtarit dhe deputetit Teodor Keko.
Mimoza Dervishi

TEODOR KEKO
A ndodhet kultura shqiptare sot në një kaos, siç po pretendohet gjithmonë e më shpesh nga njerëz të kulturës në biseda të lira e në shtyp? Mendoj se kultura shqiptare ndodhet ndoshta jo thjesht në kaos, por më duket se është si një magazinë ku mund të gjesh gjithçka, por që nuk mundesh dot, sepse mungon inventari. Pa pretenduar se kemi një njohje profesionale për kulturën tonë, mendoj se kultura shqiptare i ka tashmë kolonat e saj themelmbajtëse, me të cilat do të krenohej çdo kulturë nacionale. Ne kemi tashmë në fondin tonë mjeshtra të dimensioneve të mëdha dhe krijime, qoftë edhe spontane të individëve, që nuk mund të lihen në heshtje. Por, problemi më i mprehtë më duket në atë: sa i përdorim ne këto vlera për të zbukuruar dhe për të përsosur veten tonë? Në këtë pikë jemi deficitarë. Dhe le të jemi më konkret: Po të marrim tekstet e letërsisë shqipe dhe po t’i studiojmë me kujdes, do të shohim se nga këto tekste përftohet fare pak kulturë kombëtare dhe nxënësi që i përpunon ato, në mbyllje të ciklit arsimor ka mbetur gati po ai që ka qenë në fillimin e këtij cikli. Kështu, një maturant i sotëm thuajse nuk di asgjë për një figurë të tillë gjigante të prozës moderne shqiptare, si Petro Marko. 18-vjeçarët e sotëm nuk kanë asnjë njohuri për Shefqet Musarain, krijuesin e “Epopesë së Ballit Kombëtar”që në thelbin e saj është gabim të mendohet si një vepër pro komunistëve dhe kundër ballistëve, ai nuk di asgjë për “Prefektin”e Besim Levonjës, mund të mos ta ketë dëgjuar asnjëherë se Dritëro Agolli ka bërë një poemë madhore me titullin “Nënë Shqipëri”, e cila, po të pastrohet nga disa fragmente të politizuara, siç duhen pastruar edhe krijimet madhore të Naimit dhe Fishtës nga vargëzimet, mbetet një himn për Atdheun, studenti i sotëm i anketuar ka mundësi që s’i njeh as për emër Odise Paskalin e Janaq Paçon, Abdurrahim Buzën e Sali Shijakun, Nikolla Zoraqin, Preng Jakovën e Limoz Dizdarin, Faik Ballancën e Bilal Xhaferrin, Vaçe Zelën e Lluk Kaçajn, Eqerem Çabejn e Nonda Bulkën, Ernerst Koliqin e Mitrush Kutelin. Dhe, në qoftë se është vërtet kështu, të mos njihen as si emra këta dhe kolosë të tjerë të papërmendur këtu, atëherë kemi të bëjmë me një antikulturë në politikën tonë kulturore! Mua më duket se ky kaos pikërisht në atë fushë ku ne kemi qenë produktivë dhe bashkëkohor me botën, vjen për disa arsye. Së pari, krijuesit shqiptarë ende vuajnë nga egoizmi primitiv dhe shumë rrallë mund t’i shikosh të shkruajnë apo të flasin mirë me njëri tjetrin. Janë shumë të rrallë ata krijues që kanë dashamirësi për kolegen dhe që e pranojnë konkurrencën si forcë lëvizëse edhe në kulturë. Mirëpo duke heshtur ne, që bëjmë kulturën dhe detyrimisht kemi një njohje më profesionale nga lexuesi në këtë fushë, kush do të shkruajë dhe do të orientojë. Së dyti, kam përshtypjen se tekstet e letërsisë shqipe janë ende larg të qenit tekste. Ato janë ndërtuar mbi orientime politike dhe mbi shije të dyshimta estetike, mbi qëndrime subjektive ndaj autorëve të vdekur apo të gjallë, mbi njohje të cekëta të krijimtarisë së tyre dhe të krijojnë përshtypjen se janë krejtësisht jashtë kontrollit të Ministrisë sonë të Kulturës, apo Akademisë së Shkencave, qendrave ku janë mbledhur specialistët tanë më të zotë, ku janë fondet dhe ku hartohet politika kulturore e vendit. Mua më duket jashtë logjike që shteti subvenciono fare pak ose aspak për botimin e veprave që përbëjnë histori dhe krenari kombëtare. Në qoftë se Ministria e Kulturës ka në buxhetin e saj 10 mijë dollarë amerikanë për të shpërblyer fituesit e çmimeve letrare të vendit, më mirë t’i harxhojë këto fonde për të botuar një album luksoz apo një seri veprash të shkëlqyera, që do të shërbenin si fillim i një rinjohjeje kulturore dhe si homazh për krijuesit e tyre. Sepse, nëse ne zgjojmë interesin për kulturën dhe ju tregojmë njerëzve se sa e domosdoshme është ajo për ata, nesër këta njerëz do të shpenzonin shumë më tepër për kulturën nga sa pretendon (dhe bën mirë!) shteti sot. E gjithë kjo rrëmujë në konceptim pasqyrohet edhe në median televizive shtetërore. Po të shohësh apo dëgjosh kalendarin e përditshëm televiziv a radiofonik, do njohësh emrin e një patrioti që ka luftuar diku para 100 vjetësh, por rrallë emra artistësh. Nuk dihet kur ka lindur Paskali, Buza, Çabej, Kuteli… Përvjetori i Naimit ikën si pa gjë të keq, Kadareja i kalon përvjetorët rrezik pa marrë asnjë urim nga vendi i tij, sepse askush nuk i di këto “vogëlsira” dhe përfundimi … pa mbushur muajin prishet varri i Konicës! Dhunohet, sepse askush nuk edukohet me ndjenjë respekti dhe pak njerëz e dinë se ç’ka bërë Konica për ata. U mundova t’i shpreh fare shkurt mendimet e mia për këtë pikë kaq delikate, por me kaq shumë rëndësi për ne që ende quhemi “njerëz me bisht”, njerëz pa histori e pa respekt as për vetveten, njerëz që dinë të shkatërrojmë e jo të ndërtojmë, kur realisht me vepra, kemi bërë të kundërtën. Ideja e gazetës suaj për të hapur një debat lidhur me kaosin që ekziston në konceptimin e kulturës, më duket mjaft interesante dhe ajo do të japë kontribut veçanërisht nëse në këtë debat do të japin mendimet e tyre ministrat e fundit tanë të kulturës, të cilët janë poetë, regjisorë, shkrimtarë të talentuar e me vizion të gjerë, drejtuesit e RTV, të LSHA, krijues të njohur e lexues të kualifikuar. Ndoshta nga ky debat mund të nxirren përfundime që do të shënonin një kthesë pozitive në vizionin tonë për kulturën dhe kthimin e saj nga një vlerë inproduktive në një resurs kombëtar që prodhon pa pushim të mira materiale. Pa qëndrime politike, pa xhelozi, me mirëdashje, ne mund ta pasurojmë e zbukurojmë në këtë pikë portretin tonë.

SHKARKO APP