Minatorët po vdesin pa status
Në thellësinë e nëntokës për të gjetur pasuri, por ikin nga kjo jetë pa status. Nga viti 2019, në minierat e vendit kanë ndodhur 58 aksidente, ku 15 minatorë kanë humbur jetën. Vdekjet janë tragjike dhe një alarm që për vite nuk i është zgjidhje.
Nëse minatori humb jetën në punë përpara se të mbushë 11 vjet e gjysmë punë si minator, atëherë familja nuk përfiton asgjë. Statusi i minatorit ka zënë pluhur në Kryesinë e Kuvendit, edhe pse Edi Rama e premtoi që në 2009.
Kurse në 2017, me vendim të Këshillit të Ministrave, qeveria e Rama e rrëzoi draft-ligjin “Për Statusin e Minatorit”, i propozuar nga ish-deputeti i LSI, Përparim Spahiu. Në 2020, Sindikata e re e Minatorëve të Bulqizës dorëzoi një peticion me 10,700 firma për të kërkuar edhe një herë statusin e minatorit.
Çfarë kërkojnë ata?
1-Ata kërkojnë dëmshpërblimit të familjarëve me 6 milionë lekë në rast aksidentesh me pasojë vdekjen në vendim e punës.
2-Pension të barabartë me 100% të pagës dhe bursa studimi universitare për fëmijët për familjarët e viktimave apo të aksidentuarve që nuk mund të rikthehen në punë.
3-Paga nuk duhet të jetë më e ulët se 235% e pagës minimale zyrtare.
4-Pensionet të bëhen 35 mijë lekë.
5-Mosha e daljes në pension të jetë 53 vjeç për ata që punojnë 11 vite apo më shumë nën tokë dhe 55 vjeç për ata që kanë 10 vite punë.
6-Kujdes shëndetësor të veçantë dhe 100% rimbursim të barnave.
Peticioni është ende në Kuvend.