Minimumi jetik, dorëzohen 21 mijë firma në KQZ. Avokati i Popullit: Një shqiptari i duhen 17 mijë e 875 lekë në muaj

Organizata Politika dorëzoi të premten në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, 21 mijë firma të mbledhura nga qytetarët për minimumin jetik. Ekspertët tregojnë arsyet se pse kjo normë nuk po miratohet dhe cilat do të ishin efektet e saj.

“Shqipëria është aktualisht ndër të paktat vende në Rajon, Europë e madje më gjerë në botë që ende nuk e ka të përcaktuar minimumin jetik. Po çfarë është minimum jetik dhe si do të ndikonte miratimi i tij për buxhetin e shtetit, pensionet, ndihmën ekonomike apo asistencën sociale? Minimumi jetik është një vlerë që ka ardhur si rezultat e përllogaritjeve mujore të nevojshme të individëve. Nëse do të përcaktohet minimumi jetik, pensionet, ndihma ekonomike dhe ajo sociale nuk mund të jenë më të ulëta se ai”,-thotë Teuta Nunaj.

Vitin e shkuar Avokati i Popullit përllogariti se për të jetuar me dinjitet, një shqiptari i duhen 17 mijë e 875 lekë në muaj. Kjo vlerë është 9,9% më e lartë sesa pensioni minimal për zonat urbane, 37,5 % më e lartë se pagesa e papunësisë dhe rreth 3 herë më e lartë se ndihma ekonomike.

SHKARKO APP