Ministret Denaj dhe Kumbaro prezantojnë Strategjinë për Agroturizmin: Mbështetje zhvillimin të qëndrueshëm të sektorit
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj, bashkë me ministren e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, prezantuan Strategjinë Kombëtare të Agroturizmit, në një takim të organizuar në Tiranë, me pjesëmarrjen e aktorëve të fushës, donatorëve të ndryshëm dhe ekspertëve të linjës. Denaj tha se Strategjia për Agroturizmin ka në fokus mbështetjen për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit.
Ministrja u shpreh se objektivi kryesor i këtij dokumenti synon formulimin dhe vlerësimin e programit për zhvillimin e sektorit të agroturizmit në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Kjo strategji synon krijimin e një modeli të agroturizmit shqiptar i cili përfshin një analizë të gjerë në terren të çështjeve dhe potencialeve që ky sektor ka.
“Ne besojmë në një zhvillim të qëndrueshëm të sektorit, afatgjatë dhe kemi kërkuar hartimin e kësaj strategjie, e cila ka në fakt dy elementë të rëndësishëm, së pari, rritja e cilësisë së shërbimit përmes fuqizimit dhe akoma më shumë të zinxhirit të shkurtër ushqimor, fuqizimi i produkteve tradicionale, si vlerë e identitetit të zonave rurale”, u shpreh Denaj.
Sipas saj, certifikimi i produkteve autoktone është një bazë e rëndësishme për zhvillimin e agroturizmit. Denaj tha se “aktualisht kemi certifikuar 3 produkte autoktone dhe po përgatitemi për certifikimin e 3 produkteve të tjera deri në fund të vitit 2023 dhe ky produkt brenda strategjisë do të jetë një shtyllë mjaft e rëndësishme”.
Gjatë fjalës së saj, ministrja vuri në dukje rolin e rëndësishëm të zhvillimit të kapitalit njerëzor, si bartës i projekteve agroturistike apo në funksion të agroturizmit, ndërsa u ndal në fuqizimin e rolit të gruas në këtë sektor, jo vetëm në administrimin, por edhe në pronësinë e sipërmarrjes. Ajo tha se “ne synojmë rritjen e integrimit të të rinjve dhe grave në sektorin agroturistik, ku aktualisht rreth 51 % e fermave agroturistike administrohen nga pronarë nën 45 vjeç dhe 75 % e punëve administrohen nga gratë. Nuk duam vetëm administrim, duam dhe pronësi dhe kjo është pjesë e fuqizimit”.
Ndër të tjera vijoi Denaj, synojmë nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm përmes prodhimit organik mbi burimet e rinovueshme energjitike, reduktimit të shpërdorimit të ushqimit dhe rritjes së cilësisë së kësaj të fundit dhe rritjen e besimit të konsumatorëve në të gjithë Shqipërinë.
“Jam shumë e bindur që me kolegen Kumbaro do të harmonizojmë politika drejt një zhvillimi të qëndrueshëm afatgjatë”, tha Denaj. Ajo shprehu falenderim për Ministrinë e Turizmit, Shoqatën Shqiptare të Agroturizmit dhe partnerët GIZ Albania, Ambasadën gjermane dhe Ambasadën zvicerane në Shqipëri dhe të gjithë përfaqësuesit e biznesit pa të cilët, siç tha ajo, “kjo strategji dhe zhvillimi i agroturizmit në Shqipëri nuk mund të arrijë projeksionet e synuara”.
Nga ana e saj, ministrja Kumbaro u ndal në rëndësinë e ligjit që, siç tha ajo, “na duhet për formalizimin e sektorit, qoftë për arsye sigurie që është pjesë e standardit”. Kumbaro ftoi pjesëmarrësit të japin kontributin e tyre në Strategjinë për Agroturimin. “Është ai që do ta formalizoj sektorin. Kemi të certifikuar plotësisht me të gjitha standardet 25 agroturizam, 31 janë me certifikatë paraprake në proces, që do të thotë 50 në total. Por po të shikosh aplikacionin që MBZHR ka bërë në bashkëpunim me GIZ ka mbi 270 oferta, që tregon për potencialin e lartë që është shumë më tepër se ata që kanë marrë certifikatën dhe këtë e vërteton edhe pozita gjeogarfike e vendit me ¾ male e pyje, sepse turizmi nuk është vetëm bregdeti dhe nuk duhet të jetë vetëm ai”, tha Kumbaro.