Ministri Arben Ahmetaj vizitë zyrtare në SHBA
Ministri i Financave Arben Ahmetaj po zhvillon një vizitë zyrtare në Washington, ku merr pjesë në Takimin Vjetor të FMN dhe Bankës Botërore.
Pjesë e axhendës së ditës së parë, ishte edhe një sesion i veçantë kushtuar Shqipërisë, me temë: “Shqipëria, rritje ekonomike përmes reformave dhe bashkëpunimit rajonal”. Në prezantimin e Shqipërisë, prezent ishte Patrizio Pagano, dr.ekzekutiv i BB për rajonin e Ballkanin, Italinë dhe Greqinë, Ellein Goldstein, Drejtore e BB për Europën Juglindore, shefja e Misionit të FMN për Shqipërinë etj si dhe Guvernatori i BSh-së, Gent Sejko.
Patrizio Pagano, dr.ekzekutiv i BB për rajonin e Ballkanin, Italinë dhe Greqinë theksoi se qeveria shqiptare ka ndërmarrë reforma të thella strukturore.
“Bashkëpunimi rajonal është i rëndësishëm për kapërcimin e sfidave dhe përforcimin e rritjes ekonomike”, tha Pagano.
Ministri i Financave, Arben Ahmetaj vlerësoi se ekonomia shqiptare ka konsoliduar rritjen ekonomike dhe performancen fiskale. “Tremujori i dytë 2016 ka shënuar rritje 3,2%, ndërsa të dhënat shumë pozitive për konsumin final të popullatës kanë shënuar rritje. Për herë të parë kemi shënuar bilance primare pozitive ndërkohë që kemi vijuar uljen e borxhit. Gjithashtu, kemi paguar detyrimet e prapambetura, një sakrificë e domosdoshme për financat publike dhe klimën e biznesit. Nuk duhet harruar nga vijmë, për të mos përsëritur gabimet e së shkuarës. Reformat strukturore janë një bazë e shëndoshë për themelet e rritjes afatgjate dhe të qëndrueshme”, theksoi Ahmetaj.
KOHA JONË SONDAZH

