Ministri Balla: Kemi ngritur 12 komitete rajonale në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla vlerësoi bashkëpunimin ndërinstitucional, si dhe shoqërinë civile lidhur me luftën ndaj radikalizmit e ekstremizmit në Shqipëri, si dhe rehabilitimin dhe ri-integrimin e këtyre personave të riatdhesuar nga zonat e konfliktit.

Gjatë prezantimit të mekanizmit kombëtar të referimit kundër ekstremizmit, ministri Balla tha se vendi ynë ka praktikat më të mira në rajon për luftën ndaj ekstremizmit dhe rehabilitimin e viktimave.

Fjala e plotë e ministrit te Brendshëm Taulant Balla:

Shqipëria është një model suksesi në luftën kundër ekstremizimit të dhunshëm dhe radikalizmit. Në përvojën e vendit tim në promovimin e vlerave të përbashkëta të paqes, dialogut, parandalimit të konflikteve dhe kundërvënies ndaj terrorizmit, ka mbizotëruar ideja e parandalimit të radikalizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.

Prandaj, në luftën tonë kundër këtyre sfidave madhore të kohëve moderne, ne promovojmë një qasje gjithëpërfshirëse dhe ndërinstitucionale, duke mbrojtur të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.

Në kuadër të përpjekjeve tona të vazhduara, që nga krijimi i Qendrës së Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm (Qendrës CVE), numërohen rreth 15 mijë specialistë të vijës së parë, që janë pjesë e Rrjetit të sigurisë së P/CVE, me kontribut aktiv në identifikimin, sinjalizimin dhe adresimin e rasteve të radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm në rang vendi dhe në mjedisin online.

Prej vitit 2018 e në vazhdim, Shqipëria i ka shtuar çdo vit e më tepër përpjekjet për kundërshtimin dhe luftimin e ekstremizmit te dhunshëm. Istitucionet shtetërore, qoftë në nivel qendror, qoftë në atë vendor, qoftë me partnerët ndërkombëtarë, qoftë me ata kombëtarë, për monitorimin dhe zbatimin në të njëjtën kohë të Strategjisë Ndërsektoriale Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Luftës kundër terrorizmit gjatë kësaj periudhe pra 2023-2025, përfshirë këtu dhe planin tonë të veprimit për zbatimin e masave të përbashkëta të planit rajonal për luftën kundër terrorizmit në Ballkanin Perëndimor, po për të njëjtën periudhë kohore.

Gjatë këtyre viteve kemi bërë të mundur ngritjen e mekanizmave efikasë në nivel lokal dhe këtu janë prefektët, të cilët do të kenë mundësi ta evidentojnë, së pari për evidentimin, sinjalizimin dhe për adresimin e çdo forme radikalizmi dhe ekstremizmi të dhunshëm, sidomos me fokus të veçantë te të rinjtë pa harruar dhe shtresat vulnerabël.

Nga ana tjetër është bërë i mundur bashkëpunimi me 61 Këshillat Vendorë të Sigurisë Publike si një mekanizëm i mirëfilltë efikas referimi për sinjalizimin dhe trajtimin e rasteve të ekstremizmit të dhunshëm në nivel vendor.

Sot jemi këtu, në një moment tjetër të rëndësishëm, jo vetëm për ne si Ministri e Brendshme që kemi një ndërlidhje të brendshme, por të të gjithë aktorëve, për të prezantuar pikërisht Mekanizmin Kombëtar të Referimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, një mekanizëm rajonal i ngritur për identifikimin dhe adresimin e çdo forme radikalizmi dhe ekstremizmi të dhunshëm në nivelin e të 12 qarqeve të vendit.

Kryeministri Rama ka qenë dhe mbetet i angazhuar personalisht për sa i përket kësaj politike dhe me porosi të veçantë kemi ngritur 12 komitetet rajonale, të cilat do të shërbejnë si mekanizma kombëtare referimi për çdo platformë ndërinstitucionale, të cilat do të krijohen pranë Ministrisë së Brendshme, ku institucionet e ndryshme të përfshira në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm do të mbledhin informacion dhe do të bashkëpunojnë për të analizuar dhe adresuar çështjet e kërcënimit dhe të rreziqeve në një nivel kombëtar.

Përmes këtij urdhri kemi siguruar po ashtu dhe udhëzimet e qarta për të 12 prefektët e qarqeve nën koordinimin e Qendrës së Koordinimit Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm për të cilët kërkohet edhe bashkëpunimi i të gjithëve që jemi këtu, në përmbushjen e kësaj iniciative për të krijuar strategji konkrete për adresimin e çështjeve e problematikave që kanë të bëjnë me parandalimin të radikalizmit, luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, por mos harroni asnjëherë, është detyra jonë të bëjmë gjithçka për rehabilitimin e të riatdhesuarve nga zonat e konfliktit.

Është me vend të theksojmë sot se që prej rikthimit të parë të shtetasve nga zonat e konfliktit, nga Siria apo Iraku në vitin 2020, modeli i ndjekur nga ne, bashkëpunimi ndërinstitucional, profilizimi i aktorëve të vijës së parë dhe mbështetja e ofruar në rehabilitimin dhe ri-integrimin e çdo familjeje dhe individi të kthyer nga zonat e konfliktit, e ka rreshtuar Shqipërinë tonë në praktikën më të mirë në rajon dhe ndoshta dhe më shumë sesa rajoni.

Patjetër ndihemi të vlerësuar, por dhe më të angazhuar për atë që ka të bëjë me profilizimin e qasjeve, bashkërendimin e punës ndërinstitucionale për përgjigje të shpejta pro aktive dhe për shndërrimin e komuniteteve vendore më të sigurta, më të qeta për sa i përket bashkëjetesës.

Së fundmi, dëshiroj t’ju shpreh mirënjohjen time maksimale për të gjithë ju duke e theksuar në mënyrë të veçantë për GCERF-in dhe angazhimin dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj Shqipërisë, ndaj organizatave të shoqërisë civile, të cilat kanë dhe meritojnë një respekt të veçantë, ku sot kemi të angazhuar linjën e këshillimit për gratë dhe vajzat dhe në veçanti QKEDH në përpjekjet tona të përbashkëta për të luftuar radikalizmin, ekstremizmin e dhunshëm si fenomene, të cilat duhet ta gjithë pranojmë, i tejkalojnë kufijtë shtetërorë, janë një kërcënim për sigurinë tonë të përbashkët në nivel global.

Na duhet ta vazhdojmë këtë punë të përbashkët që kemi nisur, për të arritur rezultate të ngushta sepse në fund të fundit kjo është një luftë që ka një emërues të përbashkët.

Dhe për këtë dua të falënderoj gjithashtu edhe Policinë e Shtetit, të cilët së bashku me të gjithë partnerët të cilët ndodhen sot këtu, të vazhdojmë të jemi të angazhuar fuqimisht në këtë luftë dhe përpjekje globale të përbashkët për t’i dhënë sa më shumë qëndrueshmëri politikave tona dhe për t’i shtuar sa të kemi mundësi të gjitha programet, të gjitha kontributet në këtë sfidë që mbetet një sfidë e rëndësishme, ndjesë ndoshta u zgjata. Shumë faleminderit të gjithëve.

SHKARKO APP