Ministri Beqaj viziton Vatikanin: Selia e Shenjtë dhe Shqipëria konfirmojnë bashkëpunimin në shëndetësi

 

Kreu i shëndetësisë shqiptare u prit në takim nga SH.T., Imzot Angelo Becciu, Zv.Sekretar i Shtetit të Vatikanit, i cili konfirmoi vullnetin për të thelluar e zgjeruar më tej bashkëpunimin ndërmjet Shqipërisë e Selisë së Shenjtë në fushën e kujdesit shëndetësor. Imzot Becciu falënderoi Qeverinë shqiptare për organzimin e shkëlqyer të vizitës së Papë Franceskut në Tiranë më 21 Shtator 2014, ndërkohë që ministri Beqaj falënderoi përfaqësuesin e Selisë së Shenjtë për ndihmën 24-vjeçare për përmirësimin e kujdesit shëndetësor në Shqipëri, qoftë për trajtimin e kurimin e pacientëve shqiptarë në institucionet shëndetësore të administruara nga Vatikani.

 

Z. Beqaj u takua më tej, edhe me Hirësinë e Tij, Kardinal Giuseppe Bertello-n, Presidentin e Guvernatoratit të Shtetit të Qytetit të Vatikanit.

 

Ministri Beqaj u takua gjithashtu edhe me Imzot Zygmunt Zimowski-n, President i Këshillit Papnor për Shëndetësinë. Ministri e falënderoi përzemërsisht bashkëbiseduesin për ndihmën e dhënë nga Vatikani falë tre marrëveshjeve të bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Shqipërisë dhe u ripohua vullneti i dy palëve për përforcimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë, sipas marrëveshjeve të nënshkruara vite më parë nga dy Shtetet. Në takim, u ra dakord gjithashtu që të vendoset komunikimi për të arritur në bashkëpunim me Federatën Botërore të Spitaleve Katolike (një organizatë, e cila përmbledh 150 spitale katolike nga e gjithë bota) dhe me Fondacionin e “Samaritani i Mirë” (i themeleuar nga Papa Gjon Pali i II-).

 

Më pas, ministri Beqaj u takua me Hirësinë e Tij, Kardinal Giuseppe Versaldi-n, President i Prefekturës së Çështjeve Ekonomike të Selisë së Shenjtë, me të cilin diskutoi për mbështetjen e Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” në Tiranë dhe gjithashtu, u ra dakord që të bashkërendohen veprimet për nxitjen dhe përmbushjen me sukses të projektit për ndërtimin e një spitali në kuadrin e këtij bashkëpunimi. Ministri Beqaj parashtroi gjithashtu edhe nevojën që ka Shqipëria për ngritjen e mëtejshme të kapaciteteve dhe burimeve njerëzore në sistemin e kujdesit shëndetësor.

 

Edhe në këto takime u shpreh falenderimi për organzimin e vizitës së papës si dhe u theksua rëndësia e përcjelles më të gjithë botën për modelin e shkëlqyer të harmonisë dhe bashkëjetesës fetare të Shqipërisë.

Në kuadrin e kësaj vizite, z. Beqaj vizitoi edhe Spitalin Pediatrik të Selisë së Shenjtë “Bambino Gesù”, ku u prit nga Presidenti i spitalit dhe Drejtori Shëndetëtsor. Ministri gjeti rastin për të falënderuar drejtuesit e këtij institucioni për ndihmën e pakursyer që kanë dhënë në vite për mjekimin dhe kurimin e shumë qytetarëve shqiptarë. U ra dakort që përtej cfarë përmbahet në marrveshjen e bashkëpunimit të zgjerohet edhe me tej me ndihmë në formimin e personelit mjekësor dhe përditësimit të protokolleve të mjekimit.

 

Gjatë vizitës së tij në selinë e Radio Vatikanit e në programin e gjuhës shqipe, ministri Beqaj, në mikrofonin e Radios së Papës, foli për vizitën e tij, për bashkëpunimin ndërmjet Vatikanit e Shqipërisë në fushën e shëndetësisë dhe për sfidat me të cilat përballet shëndetësia në Shqipëri.

 

I intervistuar nga dom David Xhuxha, në studion “Karol Wojtyla” të Radio Vatikanit, Ministri Beqaj risolli në vëmendje të dëgjuesve vizitën historike të Papë Françekut në Tiranë dhe përgëzimet për punën e shkëlqyer për organizimin e kësaj vizite nga Qeveria shqiptare si dhe institucionet e kujdesit shëndetësor, për sfidat e shëndetëtsisë shqiptare qoftë në zgjerimin e mbulimit dhe të aksesit, qoftë në përmirësimin e cilisisë së kujdesit shëndetëtsor,  por edhe në zvogëlimin e korrupsionit dhe rikthimin e besimit të qytetarëve tek shërbimet publike.

 

Ministri nënvizoi rolin historik të kishës katolike në Shqipëri jo vetëm në aspektet fetare por edhe në kontributin e dhënë në vijimësi në aspekte të tjera të jetës shoqërore dhe sidomos në shëndetëtsi dhe arsimim.

 

Marrëveshjet e nënshkruara ndërmjet Selisë së Shenjtë e Shqipërisë parashikojnë mbështetje për diagnostikimin, menaxhimin spitalor, trajnimin e stafeve mjekësore e shkëmbimin e përvojës, etj. Po kështu, parashikohet bashkëpunimi me disa nga spitalet kryesore.

 

SHKARKO APP