Ministri Demo: Bypass-i i Shëngjinit, investim strategjik për zhvillimin turistik të veriut të vendit
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo tha se kantieri i Bypass-it të Shëngjinit, është një investim strategjik për zhvillimin e qëndrueshëm turistik të Lezhës dhe për përmirësimin e infrastrukturës rrugore bregdetare në veri të vendit. Bypass-i i Shëngjinit është hartuar nga Bashkia Lezhë dhe financohet nga qeveria me Fondin Shqiptar të Zhvillimit. Projekti synon të krijojë një rrugë alternative që do të lehtësojë qarkullimin, do të përmirësojë sigurinë rrugore dhe do të mbështesë zhvillimin turistik të zonës bregdetare.
Demo njoftoi se punimet po zhvillohen me ritëm të shpejtë dhe se infrastruktura e re do të ofrojë standarde moderne për qytetarët dhe vizitorët. Ai shtoi se investimi është pjesë e strategjisë së qeverisë për të forcuar rrjetin rrugor bregdetar, duke siguruar lëvizje më të lehtë dhe mbrojtje më të mirë për komunitetin dhe bizneset turistike. ”Ky investim do të kontribuojë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik dhe turistik të Lezhës, duke përmirësuar aksesin dhe kapacitetin e infrastrukturës rrugore në zonat bregdetare të veriut”,-u shpreh ministri Demo. Projekti pritet të përfundojë brenda afateve të parashikuara, duke sjellë një impakt pozitiv në jetën e banorëve dhe në promovimin e turizmit bregdetar.
Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Nderu, gjatë inspektimit të punimeve në kantierin e Bypass-it të Shëngjinit, u shpreh se ky projekt tashmë është një premtim i mbajtur dhe se po inspektojnë nga afër ecurinë e punimeve. ”Sipas inxhinierëve të projektit, janë kryer punime voluminoze dhe cilësore, ndërsa ekziston bindja se rruga do të përfundojë deri në fund të vitit tjetër. Bypass-i i Shëngjinit pritet të përmirësojë ndjeshëm qarkullimin në zonë, të rrisë sigurinë rrugore dhe të kontribuojë në zhvillimin turistik dhe ekonomik të Lezhës dhe të bregdetit verior”, tha Ndreu. Investimi, pjesë e strategjisë së qeverisë për forcimin e infrastrukturës bregdetare, financohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe menaxhohet nga Bashkia Lezhë në bashkëpunim me institucionet shtetërore.
KOHA JONË SONDAZH

