Ministri gjerman: Azilantët s’kanë asnjë shans, të mos nisen fare

Ministri i shtetit pranë zyrës së kancelares, krisitian-demokrati Peter Altmaier, ka kërkuar kritere më të forta për refugjtët nga vendet e Ballkanit.

“Nuk është e mundur, që tek ne të vijnë njerëz nga vende, të cilat nuk janë as diktaturë dhe as nuk ka luftë, nga vende që madje po përgatiten për antarësim në BE“, tha Altmaier për gazetën "Bild“. Federata po punon në një koncept praktik sipas tij, se si mund ta përballojmë së bashku valën e refugjatëve dhe ta kufizojmë atë.

Sipas tij, duhet të shqyrtohet që edhe Mali i Zi, Shqipëria dhe Kosova të klasifikohen si vende të sigurta origjine.

"Qëllimi është një koncept i ri për refugjatët në mënyrë që njerëzit, kërkesa e të cilëve për azil nuk ka asnjë shans, të mos e marrin këtë rrugë“, tha ministri i shtetit në zyrën e kancelares.

Me një koncept të tillë, sipas tij, këtyre njerëzve mund t’u kursehet mundimi e vujatja dhe kësisoj mund të kujdesemi më shumë për ata njerëz nga vende krizash, të cilët vërtet e kanë jetën në rrezik.

Ai u shpreh gjithashtu për një luftë më të ashpër kundër kontrabandistëve.

"Ne duhet t’ua bllokojmë aktivitetin atyre, që i nxisin njerëzit të marrin rrugën nëpër Afrikë e më pas duke i vënë në rrezik jete përmes detit Mesdhe“, tha Altmaier.

Edhe kryeministrja socialdemokrate e landit, Rheinland­Pfalz, Malu Dreyer në debatin për refugjatët është shprehur për shtimin e numrit të vendeve të sigurta të origjinës. "Unë personalisht mund ta mendoj se mund të zgjerohet lista e vendeve të sigurta të origjinës“, është shprehur ajo për gazetën "Frankfurter Rundschau“, numri i së shtunës (01.08). Procedurat për refugjatët që nuk kanë asnjë perspektivë për njohjen e azilit në Gjermani duhet të përshpejtohen, në mënyrë që të prekurit të kthehen më shpejt në vendet e tyre. Kjo do ta kufizonte numrin e lartë aktualisht të refugjatëve nga Ballkani. 

 

SHKARKO APP